Lajme

Nurellari: Sabotimi i projektit “Kosova e Re” i hapi rrugë importeve të shtrenjta të energjisë

By GAZETA SCANNER

December 26, 2024

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari, ka treguar pasojat që ia ka shkaktuar Kosovës refuzimi i projektit të termocentralit “Kosova e Re”.

Ai ka vlerësuar se ndërtimi i një termocentrali të tillë do të do të përmirësonte sigurinë energjetike të Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky projekt do të eliminonte varësinë nga importet e shtrenjta.

“Sipas të dhënave të fundit nga ALPEX, Bursa e Përbashkët e Energjisë mes Kosovës dhe Shqipërisë, çmimi mesatar i energjisë ka qenë rreth 135 euro për MË/h. Kjo nënkupton që, në orët e pikut, qeveria duhet të shpenzojë deri në 100 mijë euro për vetëm një orë energji të importuar – një kosto alarmante për një vend të varfër si Kosova. Tani, imagjinoni sikur projekti i termocentralit “Kosova e Re” të ishte përfunduar në vitin 2023, siç ishte planifikuar. Ky termocentral modern, me kapacitet prej 500 megavatësh, jo vetëm që do të përmirësonte sigurinë energjetike të Kosovës, por gjithashtu do të eliminonte varësinë nga importet e shtrenjta”, ka shkruar ai, duke e kritikuar Qeverinë Kurti për ndërprerjen e këtij projekti.

“Marrëveshja për ndërtimin e “Kosovës së Re” u nënshkrua në 2017 midis Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Contour Global por u ndërpre në mënyrë të njëanshme nga Qeveria Kurti. Kjo lëvizje jo vetëm që ka lënë Kosovën të varur nga importet e shtrenjta, por në korrik të këtij viti ka detyruar shtetin të paguajë 21 milionë euro në arbitrazh për shkeljen e njëanshme të kontratës. Ndërkohë, mungesa e prodhimit të mjaftueshëm vendor ka krijuar hapësirë të leverdisshme për kompani tregtare, si GEN-I, që të luajnë një rol kyç në furnizimin me energji. Kujtojmë këtu se GEN-I jo vetëm që ka qenë një nga furnizuesit kryesorë të energjisë për Kosovën, por gjithashtu ka qenë në qendër të polemikave për shkak të pagesave të dyshimta ndaj Martin Berishajt”, ka shkruar ai.

Sipas tij, sabotimi i këtij projekti ishte një goditje strategjike që ka thelluar pasigurinë energjetike në Kosovë.

“Sabotimi i projektit “Kosova e Re” nuk ishte thjesht një vendim ekonomik, por një goditje strategjike që ka thelluar pasigurinë energjetike dhe ka rritur barrën financiare mbi ekonominë e vendit. Sot, kostoja e dështimit të këtij projekti ndihet çdo ditë në faturat e qytetarëve, në bizneset që vuajnë mungesën e furnizimit të qëndrueshëm, në buxhetin e shtetit dhe në dobësinë e sistemit energjetik të Kosovës”, ka vlerësuar Nurellari.