Retro

Nuk u identifikua kurrë! Vrasësi i Zodiakut, mesazhi i tij deshifrohet pas 51 vitesh

Thyesit e kodeve kanë mundur të zgjidhin një kodifikim me 340 karaktere, 51 vite pasi ai iu dërgua gazetës lokale të San Francisko-s, nga i ashtuquajturi vrasësi i Zodiakut.

Vrasësi serial, që nuk u kap kurrë vrau pesë persona duke terrorizuar zonën e gjirit të San Francisco-s në fund të viteve ’60. Mesazhi ishte një nga të shumtët që u ishte dërguar gazetave gjatë valës së vrasjeve. Kodi u zgjidh nga tre persona nga SHBA, Belgjika dhe Australia.

“Shpresoj të jeni duke u argëtuar, ndërsa përpiqeni të më gjeni. Unë nuk kam frikë as nga dhoma e gazit, sepse ajo do të më dërgonte mua në parajsë, sidomos tani që kam skllevër të mjaftueshëm që të punojnë për mua”, thoshte mesazhi, pa hedhur aspak dritë mbi identitetin e vrasësit.

Duke konfirmuar zgjidhjen e enigmës, FBI tha se ajo vazhdonte të kërkonte drejtësi për viktimat. Ky nuk është mesazhi i parë i koduar që i atribuohet vrasësit. Dy të tjerë nuk janë zgjidhur ende dhe shpresohet se njëri prej tyre mund të mbajë edhe emrin e vrasësit. Seria e vrasjeve nisi në dhjetor 1968, me një burrë dhe një grua që u qëlluan për vdekje në makinën e tyre. Në korrik 1969, një tjetër burrë dhe grua u qëlluan, por burri mbijetoi. Më vonë atë vit, një çift u qëllua me thikë pranë një liqeni, sërish burri mbijetoi.

Në tetor ndërkohë, një shofer taksie u vra me armë zjarri në San Francisco. Vrasësi, që nuk është identifikuar asnjëherë pretendon se ka vrarë 37 persona në letrat drejtuar gazetave, por hetuesit kanë marrë të mirëqena në total shtatë viktima, pesë prej tyre vrasje me armë zjarri. Vrasjet kanë frymëzuar edhe dy filma. Zodiaku, me Robert Downey Jr, dhe Dirty Harry  me Clint Eastwood.