Lajme

“Nuk lidhet me Urologjinë, as me fermerin”- Kurti pyetet për raportet me amerikanët, e banalizon pyetjen

By GAZETA SCANNER 1

July 10, 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përgjatë përurimit të rinovimit të Klinikës së Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është pyetur nga gazetarët edhe për raportet e tij me amerikanët. Pyetja erdhi vetëm një ditë pasi Vjosa Osmani, presidentja e vendit, u prit nga Antony Blinken, sekretari amerikan i Shtetit, në Departamentin amerikan të Shtetit.

Kurti tha se kjo pyetje “ka përshtypjen që s’lidhet me Klinikën e Urologjisë”. Ai e ka banalizuar më tej pyetjen, duke paralajmëruar gazetarët të mos ia bëjnë të njëjtën pyetje gjatë takimit me një fermer në Malishevë, shkruan Gazeta Insajderi.

“E kam përshtypjen që nuk ka lidhje me Klinikën e Urologjisë. Pas këtu do të shkoj në Malishevë, atje do të takoj një fermer jashtëzakonisht të suksesshëm. Kam përshtypjen që s’ka lidhje as me të. Pasdite do ta kemi një mbledhje të Qeverisë e mbase atje do të mund të jetë vendi për pyetje të tjera. Urime edhe njëherë për këtë përurim të Klinikës së Urologjisë”, deklaroi Kurti.

Kjo deklaratë e tij vjen vetëm një ditë pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u prit në zyrën e Departamentit amerikan të Shtetit nga sekretari i saj, Antony Blinken.

Kurti është kritikuar në vazhdimësi për raportet me SHBA’në. Madje, Kurti është qortuar drejtpërdrejt nga zyrtarë amerikanë për mos-koordinim me SHBA’të.