Sadri Ramabaja dhe Ilir Mirena kanë debatuar në emisionin Pressing në T7 lidhur me Behajdin Allaqin.
Ramabaja tha se ai ishte vrarë si shkak i luftës së brendshme politike.
“Viktimë e kësaj lufte të brendshme brenda LPK-së është Behajdin Allaqi. Është shkruar një letër nga kryetari i fundit i LPK-së, Bedri Islami. Përgjithësisht bota intelektuale e jona shquhet për një oportunizëm. Nuk është bërë shpjegimi i duhur për atë se çfarë ka ndodhur. Madje është bërë disa akrobacione dhe tani është shpallur hero. Nuk i dihet as varri. Nuk dihet as ku ka përfunduar pas shkuarjes së tij në Shtabin e Përgjithshëm në Drenoc”, tha ai.
Ai tregoi se e ka parë në aktakuzë rastin e Allaqit.
“Ai ka qenë në burgun e Kleçkes. Dhe aty ka pasur dëshmitarë real se e kanë parë me duar të lidhura. Ata do të përgjigjen ndërkohë, sepse e psahë në aktakuzë, pavarësisht se ishte e redaktuar bëhej fjalë për ngjarjet e 11 qershorit dhe dihet. Kjo është luftë e brendshme politike. Vrasjet politike nuk mund t’i fshehim. Ato kanë ndodhur gjatë dhe pas luftës. Atë nuk e ka vrarë fruthi, është parë me duar të lidhura”, shtoi Ramabaja.
Këtu i reagoi Mirena i cili tha se nuk ka prova për këto që po fliten dhe se ka dështuar të ketë një shpjegim për rastin e Hallaqit.
“Të kishim qenë shoqëri normale. Do të duhej të krijohej një gjykatë e brendshme që të merrej me këtë rast”, tha ai.