Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Arton Berisha, në një interviste për Ekonomia Online tha se kjo ndërmarrje gjatë tetë muajve të këtij viti ka rritje të të hyrave për 1 milion euro më shumë në krahasim me vitin e kaluar.
Berisha tha se në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit ndërmarrja operon me 77 për qind më shumë rritje të të hyrave, sipas tij, në periudhën janar-gusht 2023 kjo ndërmarrje ka pasur 2 milionë e 400 mijë euro të hyra, pra një milion më shumë së në periudhën e njëjtë të viti të kaluar.
“Sa i përket investimeve ne bazohemi në planin e biznesit i cili është aprovuar vitin e kaluar. Aktualisht ne operojmë, në krahasim me vitin e kaluar operojmë me 77 për qind më shumë rritje të hyrave kjo krejt si pasoj e punëve të realizuara që jemi duke i bërë në teren. Aktualisht NPB po marrim një krahasim prej vitit të kaluar në periudhën e njëjtë janar-gusht, kanë qenë 1 milion e 300 mijë euro të hyra, ndërsa në këtë periudhë janar-gusht janë 2 milionë e 400 mijë, pra kemi të rritura të hyra prej 1 milion euro më shumë. Kjo është tejkalim i planit të biznesit, kjo vjen si pasoj e angazhimeve të shumta, shtimit të vëllimit të punëve dhe projektet që jemi duke realizuar”, tha ai.
Berisha tha se ndërmarrja ka një numër të madh të projekteve që është duke i implementuar në bashkëpunim me drejtoritë e komunës së Prishtinës, e sipas tij, një projekt tjetër që është duke u finalizuar është rinovimi i Sallës së Kuqe dhe pllatove të Pallati i Rinisë.
“Ne më shumë varemi nga projektet që kanë institucionet tjera, aktualisht ne jemi në bisedime me Pallatin e Rinisë, veç kemi nënshkruar një marrëveshje që të rinovojmë sallën e kuqe, besoj që do të vazhdojmë edhe me renovimin e pllatosë, edhe të pllatos që është përdhese por edhe pllatos që është përmbi sallën e kuqe. Që don një punë shumë të madhe, jemi në bashkëpunim të hartimit të projektit. Ende nuk dihet shuma e saktë se jemi në fazën e hartimit të projektit por është një shumë kogja e madhe, kjo duke pasur parasysh se pllatoja lartë që është duhet një investim i madh, duhet një izolim sepse përfundi janë lokale”, tha ai për EO.
“Është një investim kogja i madh duke pasur parasysh që Pallati i rinisë është edhe në listën e institucioneve që janë të mbrojtura. Këtë vit është paraparë që vetëm të merren me hartim të projekteve, marrjen e lejeve nga institucionet kompetente, sigurimi i buxhetit në këtë rast duhet edhe mbështetja e komunës së Prishtinës, as Pallati as ne nuk mund me mjete vetanake ta përmbush këtë investim”, tha ai për EO.
Ai tha se ndërmarrja aktualisht mirëmban 700 hyrjeve të banesave dhe se kanë një numër të projekteve që janë duke u implementuar për herë të parë në Prishtinë. Sipas tij, nga viti i kaluar në ka nisur edhe projekti i renovimit të shkollave.
“Krahas projekteve që ne i kemi aktualisht që i realizojmë është mirëmbajtja e hyrjeve, në këtë proces vazhdojmë në mënyrë sistematike që të bëhet zgjerimi i numrit të hyrjeve. Aktualisht jemi rreth 700 hyrje që i mirëmbajmë, gjithashtu në bashkëpunim me Drejtorit komunale të komunës së Prishtinës kemi filluar implementimin e disa projekteve të cilat disa për herë të parë në Prishtinë po implementohen. Projektet që duhet të ceken është renovimi i shkollave, kemi filluar një projekt që ka qenë edhe vitin e kaluar ku është rinovuar shkolla “Iliria”, këtë vit kemi filluar renovimin e shkollës ‘Hoxhë Kadri Prishtina’ që është në përfundim e sipër besoj që brenda një periudhë 10 ditëshe do të përfundoj”, tha ai.
Berisha tha se në bashkëpunim me Drejtorin e Arsimit, NPB-ja është duke vazhduar me projektin “Mjeshtri i shkollës” që parasheh mirëmbajtjen teknike të 56 shkollave dhe çerdheve në qytet e në fshatrat të Prishtinës.
“Një projekt i ri i cili është risi që ka qenë në komunën e Prishtinës që kemi bërë lansimin para një kohe së bashku me Drejtorin e Arsimit ka qenë ‘Mjeshtri i shkollës’. Është lidhur kontratë për mirëmbajtjen e 56 institucioneve arsimore, shkollat dhe çerdhet në gjithë komunën e Prishtinës duke përfshirë edhe fshatrat. Është një projekt që përfshinë mirëmbajtjen teknike, pra një farë lloj mjeshtri shkollës që përfshin gjithë mirëmbajtjen teknike të shkollave. Pra nënkupton që çdo prishje çka ndodhë në shkollë, ekipet e NPB-së janë të gatshme 24 orë të intervenojnë. Është një projekt shumë i mirë që ka pasur efektin e vetë. Gjatë këtij viti kemi bërë edhe renovimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare, kemi rinovuar tri në procedure të renovimit janë edhe disa të tjera. Kemi bërë vendosjen e pengesave nëpër rrugë që të mos parkohen nëpër trotuare”, tha ai.