Lajme

Njohësi i sigurisë thotë se betimi i kryetarëve në veri, do të jetë sfidë

By GAZETA SCANNER 1

May 17, 2023

Njohësi i fushës së sigurisë, Fatmir Çollaku, vlerëson se me inaugurimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit, do sfidohet mjaft shumë fusha e sigurisë.

Madje sipas tij, Serbia ka krijuar skenarë për ta penguar këtë proces.

“Inaugurimi i kryetarëve ose betimi i tyre, do të jetë një sfidë e madhe për sigurinë. Tashmë është e njohur e përgjithshme se bëhet fjalë për një skenar nga ana e Serbisë për të penguar këto procese, për të penguar këto inaugurime të kryetarëve të këtyre komunave. Është problem të funksionalizohet rezultati i këtyre zgjedhjeve, për faktin se shumica e absolute e popullatës atje, dihet se patën bojkotuar përmes Listës Serbe dhe pjesa tjetër që kishin vullnet për të marrë pjesë në zgjedhje ishin frikësuar. Serbia nuk dëshiron që për asnjë çmim të lejojë organizimin e pushtetit lokal përmes rezultateve të dala nga zgjedhjet e fundit”, deklaroi Çollaku në emisionin “Ditari”.

Më tej, Çollaku përmendi disa nga sfidat që mund të ndodhin gjatë inaugurimit, derisa pretendoi se mund të ketë edhe përshkallëzim të situatës atje, përcjell teve1.info.

“Është sfidë, sfidë që besoj se do ta kalojmë pa ndonjë pasojë të madhe, por shqetësimi është serioz. Fillimisht organizimi i qytetarëve serb atje nga Serbia përmes skenarëve për të bojkotuar këtë proces, në anën tjetër është e pritshme ndërmarrja e ndonjë operacioni nga ana e policisë për të penguar ata të cilët pengojnë procesin legjitim të inaugurimit. Prandaj, kam frikë se mund të ketë përplasje, e ato përplasje mund të vijnë deri tek një situatë e përshkallëzimit”, theksoi ai tutje në Tëvë1.

Erden Atiq të premten pritet të japë betimin si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut. Të njëjtën procedurë duhet ta kryejnë edhe kryetarët e tre komunave tjera në Veri. Për këtë afat kanë deri më 28 maj.