Lajme

Njësia e inteligjencës financiare ende pa drejtor

By GAZETA SCANNER 1

September 23, 2023

Muajin e kaluar janë bërë 2 vjet prej se Njësia e Inteligjencës Financiare është pa drejtor.

Kjo njësi në kuadër të Ministrisë së Financave, merret me parandalimin dhe luftimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.

Ky institucion tash e disa ditë nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit se për cilat arsye ende kjo pozitë është me ushtrues detyre dhe se kur do të zgjidhet drejtori i ri.

Anëtarë të shoqërisë civile thonë se institucionet duhet të ndryshojnë praktikën, në mënyrë që pozita të tilla të rëndësishme të mos lihen kaq pa udhëheqës me mandat të plotë.

“Praktika e vendosjes së personave të caktuar si ushtrues detyre të udhëheqësve të institucioneve publike, paraqet një anomali në vete që rrjedh si rezultat i mungesës së dispozitave ligjore, të ligjeve materiale për përcjelljen e udhëheqësve të institucioneve publike, fatkeqësisht kjo mënyre e udhëheqjes së institucioneve publike, tashmë është bërë në mënyre sistematike dhe si duket ka një mungesë të vullnetit politik”, ka deklaruar Albana Hasani – Lëvizja FOL.

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Intelegjencë, Shkelzen Sopjani thotë se kjo njësi është ndër më të rëndësishmet në Kosovë, dhe si e tillë duhet të trajtohet nga institucionet.

“Është një njësi që e ndjek paranë, që i bie që godet aty ku eshte pjesa më e rëndësishme e luftimit të këtyre fenomeneve, pra kjo njësi funksionin primar e ka shpërndarjen e inteligjencës dhe informatave tek institucionet e zbatimit të ligjit me theks të vecantë policissë së Kosovës por duke mos përjashtuar edhe prokurorinë”, ka thënë Shkelzen Sopjani –Ish-kryeinspektor i AKI-së.

Sopjani tutje shton se Njësia e Intelegjencës Financiare, ka përgjegjësi edhe jashtë kufijve të Kosovës. “Përveç që kontributi i saj është përbrenda kjo njësi rëndësi ka edhe për luftimin e krimit të organizuar tranznacional apo edhe terrorizimin ndërkombëtar dhe me vetë faktin që ka këtë rëndësi është me rëndësi që kjo njësi të mos ketë shkëputje në vazhdimësi në punën e saj, e me theks të veçantë të mos ketë të meta në procesin e vendimmarrjes”, ka theksuar Shkelzen Sopjani – avokat.

Njësia e Inteligjencës Financiare është pa drejtor që nga shkarkimi i Dardan Nuhiut, nga kjo pozitë, pas publikimit të disa incizimeve, në gusht të vitit 2021.

Ky mekanizëm është në mesin e dhjetëra institucioneve që vazhdojnë të funksionimin pa drejtor, por vetëm ushtrues detyre.