Botë

Një yll dhe planeti i tij marrin emrat e lumenjve të BeH

Unioni Astronomik Ndërkombëtar njoftoi sot emrat e zgjedhur të yllit HD 206610 dhe planetit të tij HD 206610b, të votuar nga qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, si pjesë e një konkursi të madh ndërkombëtar.

Sipas numrit të votave të qytetarëve të BiH, ylli dhe planeti u quajtën Bosona, respektivisht Naron, emrat latinë të lumenjve Bosna dhe Neretva.

Si pjesë e festimit të njëqindvjetorit të Unionit Astronomik Ndërkombëtar, në Paris u mbajt një konkurs ndërkombëtar për të propozuar emra për ekzoplanetin dhe yllin rreth të cilit rrotullohet, dhe BeH iu dha një sistem në yjësinë Ujori (Akuarius), njofton Klix.ba.

HD 206610 është një yll gjigantë, ngjyrë portokalli, rreth 482 vite dritë larg Tokës dhe i përket llojit spektral K. Planeti i tij, HD 206610b, i cili u zbulua në vitin 2009, është një gjigant i gaztë dhe është paksa më i madh se Jupiteri. Planetit i duhen rreth 1.8 vite të Tokës për tu rrotulluar rreth yllit të vet që gjendet në një distancë prej 1.74 njësi astronomike, ku një njësi astronomike korrespondon me distancën mesatare të Tokës nga Dielli.

Konkursi në BeH u zhvillua nga aktivistë të Shoqatës Astronomike ‘Orion’ nga Sarajeva dhe Shoqatës Astronomike Polaris nga Tuzlla, me ç’rast u mblodhën gjithsej 256 propozime. Komiteti Kombëtar për Bosnjë dhe Hercegovinë përzgjodhi pesë propozime, dhe votimi ishte i hapur deri më 14 nëntor.