Op/Ed

Një vit nga ndarja fizike e Shaban Berishës, luftëtar i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, togu i Grabovcit

Shkruan: Adnan Sogojeva

E trishtë të shkruaj për ty Shaban, por, e ndjejë obligim deri në frymën e fundit që të shkruaj për secilin luftëtar që ka shërbyer në Grabovc, ishte nderi i jetës sime që njoha anën tuaj në luftë, pra të shkruaj diçka krejt origjinale, duke i qëndruar besnik ngjarjeve rrënqethëse, tmerruese, në veçanti biografi, për mua vërtet paraqet përgjegjësi të madhe.

Këtë biografi e shkruan ushtarët e lirisë, e shkruan bijtë dhe bijat e këtij kombi, e shkruan nënat dhe fëmijët e saj qe benë luftën dhe krenarisht hynë ne kështjellën e pavdekësisë. Kjo do te thotë qe komandantit legjendar Adem Jashari, Hamzë Jashari, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Fehmi Lladrovci, Bekim Berisha (Abeja), Abedin Sogojeva, Ferid Curri, Bedri Berisha, Baci Zeqë, Baci Kifë, Ismetit, Ragipit, e shumë luftëtarëve tjerë i’u bashkëngjit edhe luftëtari, Shaban Berisha, një burrë trim, besnik, i pathyeshyeshem i rreptë kur e kërkonte nevoja.

Shaban Berisha lindi me 22.12.1966 në fshatin Grabovc i poshtëm, komuna e Fushë Kosovës. Shkollën fillore e kreu ne Grabovc i poshtëm, të mesmen në Obiliq / Kastriot.

Familja ku lindi Shabani ishte familje e ndershme, bujare dhe e respektuar gjithandej, mbi te gjitha respektohej si familje me atdhedashuri të theksuar, ishte familje tradicionale ku vlerat e mirëfillta kombëtare, njerëzore dhe shpirtërore e kishin vendin e merituar.

Shabani kishte një jetë jo shumë të lehtë, familja ishte e madhe dhe me një gjendje të rëndë socio-ekonomike, por, ashtu si mundën i’a dolën, por jetuan dinjitetshëm dhe asnjëherë nuk u nësnshtruan para stuhive që i solli jeta.
Shabani patriotizmin e atdhedashurinë e kishte në zemër, si i ri u këndoj trimave shqipëtar, ku edhe ishte frymëzuar fort. Kënga e tij jehonte gjithëandej…

Shabani si djalë energjik, i frymëzuar nga gjithë ata trima që ju këndonte, situata politike shumë e rënduar, Serbia vazhdonte të shtypte shqiptarët në çdo aspekt, kishte filluar mendimi tek patriotët se lufta është mjeti i vetëm që mund e shporrim armikun serb nga kjo tokë arbnore.
Vitet ’90 ishin të rënda për shqiptarët, largime nga puna, mbyllja e shkollave, Universitete, maltretime e dhunë sistematike nga aparati serb i instaluar në Kosovë.

Viti 1997 pason me ngjarje të mëdha për popullin shqiptar, pas demonstratave studentore të 1 tetorit, pason një ngjarje me rendësi te veçantë për çdo shqiptar, ngjarje që tmerroi Serbinë, ngjarje e pritur me dekada, doli në skenë e shumëpritura, shpresa e vetme për çlirim definitiv, ngjarje që trokiti në ndërgjegje të çdo shqiptari, doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pas tërë këtyre zhvillimeve, fillimi i vitit 1998 ishte i vështirë, i shoqëruar me vrasje, maltretime, persekutime nga me mizoret qe përjetoi populli shqiptar ne dekadën e fundit, ngjarje që përshpejtuan idenë e shumë patriotëve shqiptar se vetëm me pushkë në dorë Kosova do mund të çlirohej një ditë.

Me rënien e komandantit legjendar Adem Jashari në mars të 1998, UÇK merr hov në shtrirjen e saj në të gjitha pjesët e Kosovës, e Grabovci si fshat me një pozitë të përshtatshme gjeografike, një fshat qe historikisht ishte përkrah çdo lëvizje kombëtare, fshat që kishte rritur e kalitur shumë luftëtar formon shtabin e UÇK-se me në krye Komandantin Abedin Sogojeva, ku si shumë bashkëluftëtar tjerë edhe Shabani pa hezituar iu bashkohet radhëve të UÇK-së, pra Shaban Berisha bëhet ushtar i togut të Grabovcit, Brigada 114 Fehmi Lladrovci, Zona Operative e Drenicës.

Shabani mori pjesë në të gjithë betejat e rëndësishme qe bëri UÇK-ja në pjesën ku edhe ai operonte. Shabani ishte nga djemt që bashkë me dëshmorin Ferid Curri e luftëtarë të Zonës së Drenices morën rrugën për në Shqipëri, për të sjellë armë, që në atë kohë ishin shumë të nevojshme. Këtë rrugëtim e përshkruante mes lotësh Shabani, ishte rrugë e gjatë, e mundimshme, por edhe shumë krenare dhe pergjegësi shumë e madhe. Rrugëtimi i tij me shumë luftëtar si dhe me Feridin, për Shabanin ishin kujtime jetësore të tij. Shpesh tregonte për këtë rrugëtim, e rrëfente me ëndje.

Intensiteti i luftimeve vetëm sa shkonte e rritej për shkak te luftimeve të përditshme me forcat serbe, luftimet dita ditës ndryshonin, as një betejë më nuk i përngjante së kaluarës, por një duhet veçuar, beteja e 14 prillit e vitit 1999 do të mbahet edhe shumë gjatë në mend dhe do të mbetet e shkruar në analet e historisë për të lavdishmen UÇK. Ishim të rrethuar, luftohej në të katër anët, luftëtarët ishin pozicionuar nepër istikame të vendosur qe për asnjë çmim mos lëvizim nga istikamet. I tillë ishte edhe Shabani, ku në pozicionin ku ai ishte i vendosur u luftua edhe në largësi deri në 20 metra. Ne këtë betejë të përgjakshme sa krenare aq edhe të dhimbshme ne mbetem të pa thyer, qëndruam stoik në istikamet tona, por me pasoja dhe nga ana jonë, dhamë dëshmor Ferid Curri, ndërsa plagë morën vëllai i Feridit, Petrit Curri dhe luftëtari Fidaim Berisha.

Pas kësaj beteje ne dolëm edhe me të fortë, rënia e Feridit na dha shtytje edhe me të madhe, na dha forcë që të vazhdojmë deri në realizimin e aspiratës shekullore, çlirimin definitiv te Kosovës.

Pas përfundimit të luftës, i’u duk që hoqi një barrë nga supet, Kosova u çlirua, por, Shabani, nuk u mjaftua vetëm me çlirimin e Kosovës, ai bashkë me Komandant Dinin, Lirimin e Vullnetin e bashkëluftarë tjerë nga togu i Grabovcit rrugëtimin e tyre e vazhduan edhe në UÇPMB, për çlirimin e tokave shqipëtare në Preshevë, Medvexhë e Bujanovc.
Për Shabanin deri sa mbylli sytë përgjithmonë, ideja e bashkimit kombtar ishte zgjidhja e vetme për qetësi në Ballkan, andaj deri në momentet e fundit nuk ndaloj së punuari e luftuari për një shtet të vetëm të quajtur Shqipëri.

Jo vetëm Shabani, por dhe shume bashkëluftëtar nga togu i Grabovcit sot nuk janë fizikisht me ne, si komandanti Abedin Sogojeva, dëshmori Ferid Curri, bashkëluftëtaret Bedri Berisha, Ahmet Berisha, Ismet Imzi, Hakif Berisha, Ragip Berisha, por ne na bënë krenar aktiviteti i tyre, lufta e tyre e shenjtë për liri, prandaj çdo ndarje fizike nga bashkëluftëtarët është e rëndë, e dhimbshme por dhe krenare, ngase ishin të gatshëm të japim çdo gjë atdheut, edhe atë me te shtrenjtën, Jetën.

Togu i Grabovcit ishte, është dhe do mbetet jo vetëm krenaria e Fushe Kosovës, por dhe Zonës së Drenicës, dhe s’ka se si të jetë ndryshe ku në gjirin e saj kishte luftëtar të kalibrit si, Shaban Berisha, Abedin Sogojeva, Ferid Curri, Lirim Jakupi, Vullnet Ibishi, Aliu, Shabani, Arsimi, Hyseni, Mirsadi, Xhevati, Bujari e shumë e shumë tjerë, qe se i cili është histori në vete.

Ne jetojmë me krenari ngase patëm fat te të kemi bashkëluftëtar.
Faleminderit për gjithë atë që bëre për Kosovë.

Të qofte i lehtë dheu i Kosovës, lavdi jetës dhe veprës sate, lavdi gjithë dëshmorëve të kombit.

Foto: Abedin Sogojeva – Komandant Dini
Shaban Berisha