Ekonomi

Një kompani shpërblen punëtorët me 10 milionë dollarë për festa

Për punëtorët e Saint John Properties, një kompani patundshmërish me bazë në Marilend, babadimri shpërndau dhuratat para kohe. Kompania mbuloi udhëtimin dhe koston e eventit vjetor të fundvitit për të gjithë punëtorët nga tetë degë të ndryshme, përfshirë edhe ata të angazhuar jashtë vendit, si dhe mysafirët e tyre.

Kur SJP iu shpërndau 198 punëtorëve kovertat e kuqe gjatë një eventi vjetor të festimeve, askush nga ta nuk mund të imagjinonte se çfarë gjendej brenda. Për befasi të secilit, kovertat përmbanin bonuse me vlerë mesatare rreth 50,000 dollarë, apo rreth 10 milion dollar në total. Kjo shumë korrespondon me vitet e përvojës së punës në kompani. Shuma më e vogël prej 100 dollarë iu nda një punëtori i cili ishte punësuar rishtasi por i cili akoma nuk kishte filluar punën, ndërsa bonusi më i lartë ishte 270,000 dollarë.

“Kur e hapa kovertën nuk po mund të besoja. Nuk kam fjalë për të përshkruar ndjenjën që e kisha, ishte thjeshtë e mahnitshme dhe e pabesueshme. Akoma jam në shok. Kjo ngjarje ma ndryshoi jetën”, deklaroi Stefani Ridgëay, ndihmës menaxhere e projekteve në SJP.

Presidenti i SJP, Lawrence Maykrantz i tha CNN se kompania kishte arritur objektivin e ndërtimit të 20 milion metrave katrorë patundshmëri, duke e dyfishuar kështu sasinë brenda 14 viteve.

“Ne dëshironim të bënim diçka për t’i falënderuar punëtorët tanë të cilët na ndihmuan ta arrijmë këtë objektivë, dhe ne dëshironim të bëjmë diçka domethënëse. Ishte një nga ngjarjet më të mrekullueshme që kam përjetuar ndonjëherë në jetë. Njerëzit bërtisnin, qanin, qeshnin, përqafoheshin. Ne jemi krenar me punëtorët tanë. Ata janë bazamenti dhe arsyeja e suksesit të kompanisë tonë”, tha Maykrantz.