Botë

Një i vdekur e tre të lënduar nga rrjedhja në një central bërthamor

Rrjedhja e gazit në një central bërthamor në Spanjë ka lënë një person të vdekur e tre të tjerë në spital, thanë të mërkurën shërbimet emergjente.

Rrjedhja e dyoksidit të karbonit ndodhi në centralin bërthamor “Asco” në rajonin e Katalonjës. Centrali ndodhet rreth 130 kilometra në perëndim të qytetit të famshëm, Barcelona.

Shërbimi rajonal i zjarrfikësve tha se një prishje në sistemin për parandalimin e zjarrit e shkaktoi rrjedhjen e gazit, që nuk u lidh me ndonjë material radioaktiv, shkruan Daily Mail

Sipas gazetës spanjolle, “El Periodico”, viktima e këtij incidenti është një burrë 42-vjeçar nga qyteza Mora d’Ebre. Raportohet se ai punonte zjarrfikës në central. Tre personat e dërguar në spital pësuan lëndime të lehta nga thithja e dyoksidit të karbonit, thanë shërbimet emergjente.

Burimet i thanë “Europe Press”-it se incidenti ishte i lidhur me punën e mirëmbajtjes. “Në momentin që ndodh ndezja, dyoksidi i karbonit fillon të largohet dhe ta zhvendosë oksigjenin dhe posa të harxhohet oksigjeni, djegia përfundon. Kjo është mënyra për t’i fikur zjarret në vendet ku nuk mund të përdoret uji”, thanë burimet.