Botë

Një avion privat përplaset në autostradën e Malajzisë, dhjetë të vdekur

By GAZETA SCANNER 1

August 17, 2023

Të paktën dhjetë persona kanë vdekur kur një avion privat u përplas me një makinë dhe motoçikletë në autostradë teksa tentoi të ulej, ka deklaruar Policia e Malajzisë.

Gjashtë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit ishin në bordin e avionit “Beechcraft”, tha Autoriteti i Aviacionit Civil të Malajzisë.

Avioni po udhëtonte nga Langkawi në Selangor, në perëndim të kryeqytetit, Kuala Lumpur.

Shefi i policisë së Selangorit tha se avioni kishte humbur kontaktin me kullën e kontrollit të trafikut ajror.

“Nuk kishte asnjë thirrje urgjente, aeroplanit iu dha leja për ulje”, u shpreh Hussein Omar Khan.

“Për momentin nuk mund të themi se cili ishte shkaku i përplasjes pasi hetimet janë duke u zhvilluar”, tha ministri i Transportit, Anthony Loke.

“Zyrtarët e mjekësisë ligjore janë duke identifikuar eshtrat e të gjitha viktimave”, shtoi ai, shkruan BBC.