Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, i ka komentuar deklaratat e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në lidhje me mocionin, ku ky i fundit tha se “nuk jemi të interesuar për beteja politike”.
Nitaj tha se deklaratat e Abdixhikut kanë kaluar në hipokrizi, pasi sipas tij, vihet deri te konstatimi se situata është e vështirë, atëherë duhet mocion.
“Nëse këta konstatojnë se situata është e vështirë dhe i kemi prishë punët me Amerikë, me BE-në e NATO-n dhe e kemi rrezikuar veriun e në të njëjtën kohë deklarojmë se mundësia e ndërrimit, shkarkimit ose e mocionit të mosbesimit për qeverinë, janë deklarata politike, mendoj që kjo kalon në hipokrizi”, tha Nitaj në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se fajtor për situatën e krijuar në vend nuk është qeveria por vetëm kryeministri Albin Kurti.
“Nuk e quaj qeveria e vendit, sepse unë e shoh fajtorin kryesor për situatën e krijuar një njëri, e ky është kryeministri e jo qeveria, sepse vendimet kanë qenë të tij”, tha Nitaj, njofton Klankosova.tv.
Kujtojmë se javën e kaluar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti në lidhje me situatën e krijuar në veri të vendit dhe pas deklarimeve që kryeministri Kurti bëri ndaj Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, se deklaratat e tij janë naive lidhur me situatën në vend.