Sport

Nistelrooy mbeti i zhgënjyer me largimin nga Manchester Unitedi

By GAZETA SCANNER 1

December 03, 2024

Ruud van Nistelrooy mbeti i zhgënjyer pas largimit nga Manchester Unitedi pas kohës së suksesshme si trajner i përkohëshëm pas shkarkimit të Ten Hag.

Van Nistelrooy, i cili u emërua trajner i Leicester City në fund të muajit të kaluar, mbeti i pamposhtur në katër ndeshjet e tij në krye të United pas shkarkimit të Erik ten Hag, pasi më parë kishte shërbyer si ndihmës i bashkatdhetarit të tij.

“Isha i zhgënjyer, po, shumë, dhe më dhimbte që duhej të largohesha”, u tha ai gazetarëve të hënën.

“E vetmja punë që do të merrja si asistent ishte te United për shkak të lidhjes që kam me njerëzit e klubit dhe tifozët. Por në fund e mora veten sepse e kuptoj edhe menaxherin e ri. Unë fola me Ruben Amorimin për këtë, biseda ishte mirënjohëse, njeri me njeri, menaxher me menaxher, dhe kjo ndihmoi shumë për të ecur përpara dhe për të hyrë menjëherë në bisedime me mundësi të reja që më ngritën shpirtin”.

Van Nistelrooy shënoi 150 gola në një periudhë shumë të suksesshme pesëvjeçare në United përpara se të transferohej në Real Madrid, por ish-sulmuesi tha se ai ka cilësitë luftarake për të ndihmuar Leicesterin të shmangë rënien nga Premierliga.

“Njerëzit shohin Real Madridin, Manchester Unitedin, por tre sezonet e mia të para si profesionist ishin në futbollin holandez me FC Den Bosch , kështu që unë e di se si është të luftosh me vështirësitë,” shtoi ai.

Leicester pret West Ham United në Premierligë të martën (sot).