Ballina

NISMA kritikon Krasniqin: Para koordinimit me opozitën zgjodhi të dakordohet me Kurtin

By GAZETA SCANNER 1

May 14, 2024

Partia NISMA Socialdemokrate ka dalë me një komunikatë, pas takimit të mbrënshëm mes kryeministrit Kurti dhe kryetarit të PDK, Memli Krasniqi, ku u ka bërë thirrje deputetëve të të gjitha partive të mos pranojnë të shkarkohen nga qeveria por të thërrasin seancë dhe ta shkarkojnë qeverinë, shkruan Scanner.

NISMA ka qenë kritike për mosbashkëpunimin e opozitës, ndërkaq kritikon Memli Krasniqin, që, sipas komunikatës, para koordinimit me opozitën zgjodhi të dakordohet me Albin Kurtin.

Komunimata e plotë:

I pamatur e i dëmshëm, veprimi politik i cili në vete jo vetëm se amniston keqqeverisjen e brendshme të Albin Kurtit, por edhe legjitimon kursin e gabuar diplomatik të kësaj qeverie.

Kosovës i ka munguar zëri opozitar, andaj kërkesa për bashkërendimin e opozitës ka qenë natyrale, derisa hezitimi për të qenë pjesë e një fronti të bashkuar tanimë po deshifrohet me nxitimin e Memli Krasniqit, i cili para koordinimit me opozitën zgjodhi të dakordohet me Albin Kurtin.

Në rrethanat aktuale, opozita duhet ta ketë vetëm një qëndrim të përbashkët, dorëheqjen e Albin Kurtit apo shkarkimin përmes mocionit, i cili do të rezultonte me shpërbërjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje!

Shpërndarja e Kuvendit pa dorëheqje ose shkarkim të qeverisë është bartje e fajit nga qeveria te Kuvendi edhe pse përgjegjës për degradim të tërësishëm të shtetit në të gjitha sferat e jetës është qeveria dhe jo Kuvendi.

Prandaj, NISMA Socialdemokrate u bën thirrje deputetëve të të gjitha partive të mos pranojnë të shkarkohen nga qeveria por të thërrasin seancë dhe ta shkarkojnë qeverinë!