Kult

Nis rregullimi i shembjeve në Kalanë e Novobërdës, ku u investuan një milion euro

Në shtator bëhet një vit prej kur janë ndërprerë punimet e dy vjet prej kohës kur në Kalanë e Novobërdës lindën problemet pas investimit të një milion eurove.

Pamjet e një ekskavatori, që në shtatorin e kaluar po shembte fasadën për t’iu rikthyer restaurimit, kishin alarmuar institucionet e publikun. Punonjësit e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve me të arritur në vendpunishte kishin thënë se punimet duhet të ndërpriteshin. Punimet kanë rinisur javën e kaluar, ndërsa konsolidimi do të bëhet nga kompania që ka kryer restaurimin.

E projekti për ndërhyrjen e re është miratuar qysh në tetor të vitit të kaluar. Konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Novobërdës i kanë përcjellë problemet që nga fillimi.

Më 2015 atje kishin zbarkuar punonjës e mjete të kompanisë “Koto”, me seli në Beograd. Me kontratën e UNESCO-s, që është përgjegjëse për punimet, kishin nisur të ngrenë skele. Por asokohe Instituti Arkeologjik i Kosovës kishte ndërprerë punimet. U ishte thënë se duhej të prisnin leje për të nisur punën.

Pas dy javësh restauruesit e konservuesit kishin nisur të kryenin detyrat. Por vjeshta e vitit 2018 kishte nxjerrë në pah se jo gjithçka ka shkuar mirë. Kishin filluar shembjet. Të alarmuara, institucionet e trashëgimisë kulturore kishin nisur të flisnin për përgjegjësi. Bëhet fjalë për një projekt ndërkombëtar. Në kuadër të fondeve IPA, Bashkimi Evropian ka ndarë 1 milion euro për restaurimin e konservimin e monumentit. UNESCO-ja ishte përgjegjëse për kontraktimin e kompanisë që e ka bërë projektin e asaj që e ka implementuar atë.

Hartimi i projektit konservues e restaurues ishte bërë nga kompania “Omega Engineering”, me seli në Dubrovnik e punët ishin kryer nga kompania “Koto”. Mbikëqyrja ishte bërë nga përfaqësues të këtyre dy kompanive e po ashtu edhe nga përfaqësues të UNESCO-s, Bashkimit Evropian e të institucioneve vendore. Sa i përket UNESCO-s, gjithçka është administruar nga selia e Ballkanit me qendër në Sarajevë, që udhëhiqet nga Sinisha Sheshum. “Koto” i ishte kthyer vendpunishtes në mars të vitit të kaluar, për të mbledhur pak nga copat e rëna.

Slobodan Radovanoviq, në ditën e 12 marsit, me një bashkëpunëtor kishin marrë mostra të llaçit, që është përdorur në muret e strukturave që shkojnë në lartësi deri në 10 metra. Kishte fotografuar hapësirat ku ishte shembur fasada e gurët në anën e jashtme të mureve e po ashtu në një vend nga brenda. Radovanoviq kishte hipur edhe mbi mure për të fotografuar pjesët e tjera të ënjtura, që kanë dhënë sinjale të një shembjeje të mundshme.