Lajmest-slider

Nis rinumërimi i votave të AAK-së, të pranishëm edhe hetues

Ka nisur edhe zyrtarisht numërimi i votave të kandidatëve për deputetë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Për rinumërimin e këtyre votave është vendosur në mbledhjen e sotme të KQZ-së. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi fillimisht ka thënë se do të rinumërohen votat me kusht dhe atyre me postë për kandidatët e AAK-së. Më pas, ai ka thënë se do të procedohen për rinumërim edhe vendvotimet tjera të cilat PZAP ka vendosur që të rinumërohen, raporton Gazeta Expres.

“Me qëllim të zbatimit të vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po fillon punën këtu në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Gjithashtu, KQZ do të rinumërojë edhe 7 vendvotime gjatë numërimit të të cilat ka qenë i angazhuar personi që përmendet në videon e transmetuar nga mediat. Pas përfundimit të kësaj faze të rinumërimit, do të vazhdojmë me procedimin e vendvotimeve të tjera për të cilat ka vendosur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Një listë me numrin e saktë të vendvotimeve do ta kemi në ndërkohë, pasi jemi duke para të gjitha vendimet e PZAP-it dhe janë me dhjetëra sosh”, ka thënë Elezi.

PZAP ka marrë vendim për rinumërim të këtyre votave, pas apelit të bërë nga kandidatja e AAK-së Florentina Gjergjaj. Rinumërimi po bëhet në prani të hetuesve.