Lajme

Nipi i Jakup Krasniqit: Baca Jakup po qëndron mirë, por po i mungon liria

By GAZETA SCANNER 1

November 06, 2023

Nipi i ish kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Arian Krasniqi, ka thënë se ai po qëndron mirë dhe me moral në Dhomat e Specializuara në Hagë, mirëpo po i mungon liria, raporton teve1.info

Në një rrëfim për emisionin “Ditari” në Tëvë1, Krasniqi tha se ish zëdhënësi i UÇK-së, po qëndron mirë dhe me moral të lartë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku tha se i ka shkruar mbi 80 mijë fjalë vepra të ndryshme.

Krasniqi u shpreh se ish kryeparlamentari i do t’i mbush 73 vite në janar, derisa shtoi se me ish bashkëluftëtarët atje po qëndrojnë të bashkuar dhe pa dallime politike.

“Baci Jakup aje i ka mbush 70 vite, ai tashmë i bënë 73 vite në janar, atje kanë qëndrim dhe moral, atje ka një atmosferë shumë shoqërore dhe miqësore mes tyre, po qëndron mirë. Dallimet e tyre politike që kanë qenë të pasluftës kanë deklaruar edhe në dëshmi që nuk duhet të merren si fakte juridike, ndasi nuk ka. Përveç kohës kur i ndajnë dhomat, kur i mbyllin pas orës 7 ose 8 në mbrëmje, gatë gjithë kohës qëndrojnë të bashkuar, ideali i ka bashkuar dhe nuk besoj që i ndan. Baca Jakup vazhdimisht ka shkruar edhe këtu, mirë që e ka atë disponim për të shkruar atje, mbi 80 mijë fjalë i ka të shkruara aty, nuk di nëse do të ketë botim. Por, po i mungon liria. Po i mungon familja, angazhimi jetësor, shokët, miqtë”, u shpreh nipi Ariani.

Ndërsa, sa i përket procesit të gjykimit, nipi i Jakup Krasniqit, Ariani, tha se nuk është pritur as arrestimi i tij e lëre më ky proces sipas tij i tejzgjatur.

“Ne nuk e kemi pritur as arrestimin, procesi është tejzgjatur, po bëhen 3 vite prej kur ka filluar procesi maratonik. Dy vite e më shumë u bënë ende pa filluar procesi në dhomat e specializuara. Gjatë këtij procesi kanë kaluar vetëm 33 dëshmitarë, gjë të të cilën nuk e kemi pritur as ne dhe nuk ka standard ndërkombëtar me një proces kaq të gjatë dhe po fillon viti i 4. Ndikime nuk mund të themi që ka por paraburgimi i tyre në kohë kaq të gjatë nuk e justifikon qëndrimin e tyre atje sepse e thash që nuk kanë manifestuar asnjëherë ndonjë masë të ndalimit të provave për të arritur drejtësinë e ndodhur ose e zhvilluar në Kosovë”, tha Krasniqi.