Botë

Ngjarja që shokoi Francën, Jonathan Daval dënohet me 25 vjet burgim për vrasjen e gruas

Një burrë është dënuar sot me 25 vjet burgim për vrasjen e gruas së tij dhe djegien e trupit të saj, në një rast qe shokoi Francën.

Trupi pjesërisht i djegur i Alexia Daval u gjet në një zonë pyjore pranë qytezës verilindore të Gray në tetor 2017.

Bashkëshorti i saj Jonathann Daval, fillimisht e raportoi të humbur, duke i thënë policisë se kishte dalë për vrap dhe nuk ishte kthyer kurrë.
Më vonë ai pranoi se e kishte rrahur për vdekje dhe kishte djegur trupin e saj.

36-vejçari nuk reagoi kur u dha verdikti i sotëm. Më herët ai kishte kërkuar falje ndaj prindërve të gruas së tij.

Prokurorët thanë se çështja ishte një “krim thuajse i përkryer në familje”, dhe kërkuan burgim të përjetshëm.

Alexia Daval ishte një bankiere 29-vjeçare. I shoqi e raportoi atë të humbur në tetor 2017. Por trupi i saj u gjet dy ditë më vonë pjesërisht i djegur, i mbuluar me degë në një zonë pyjore, larg vendit ku ajo dilte për vrap.

Pas vdekjes së saj rreth 10 000 njerëz dolën në një protestë në qytezën e Gray duke kërkuar drejtësi. Shumë gra i bënin homazhe viktimës duke bërë vrapime simbolike në qytete në të gjithë Francën, teksa fillimisht besohej se kishte qenë një sulm i rastësishëm në rrugë.

Pas vdekjes Daval u shfaq duke qarë në konferencat e shtypit bashkë me prindërit e gruas, ndërsa tre muaj më vonë prokurorët thanë se kishte pranuar vrasjen. Ai fillimisht mohoi djegien e trupit, por e pranoi edhe ate një vit më vonë.

Në fillim të javës, kur u pyet nga gjykatësi nëse ishte “i vetmi person i përfshirë në këtë vdekje”, bashkëshorti vrasës tha “po”.