Zvicra do ta ndalojë mbulimin e fytyrës me shami në hapësirat publike.
Ky vendim hyn në fuqi nga 1 janari i vitit 2025.
Kjo u bë e ditur përmes një deklarate nga qeveria zvicerane, të mërkurën.
Ndalimi i burkave kishte kaluar në një referendum të vitit 2021 e që u dënua nga shoqatat myslimane, ishte iniciuar nga i njëjtë grup që pati organizuar ndalimin e minareve të reja në vitin 2009.
Sipas Këshillit Federal, çdokush që mbulon fytyrën do të gjobitet deri në 1 mijë franga, shkruajnë mediat zvicerane.
Kjo ndalesë nuk vlen në avion dhe ambientet diplomatike e konsullore, ndërsa fytyrat mund të mbulohen edhe në vendet e adhurimit, ka thënë qeveria.
Mbulimi i fytyrës do të mbetet i lejuar për arsye që lidhen me shëndetin dhe sigurinë, për zakone vendase ose për kushtet e motit, shtoi qeveria.
Ajo po ashtu do të lejohet për qëllime artistike apo argëtuese, si dhe për reklamim. Nëse këto mbulime janë të nevojshme për mbrojtje personale në ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe të bashkimit, ato duhet të lejohen nëse autoriteti përgjegjës e ka miratuar tashmë dhe nuk dëmtohet rendi publik, thuhet në deklaratë.
Çka është burka?
Veshja e plotë myslimane që mbulon gruan nga koka te këmbët, duke përfshirë një vello që ekspozon vetëm sytë, njihet si burka.