Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, synon të rrisë mbështetjen amerikane për luftën e shtetit të tij kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian- dhe grupeve tjera të përkrahura prej Iranit, përmes një fjalimi para Kongresit amerikan.
Disa figura të larta në mesin e demokratëve e kanë bojkotuar fjalimin e Netanyahut, ndërsa mijëra amerikanë janë duke protestuar para ndërtesës së Kongresit, për të dënuar luftën në Gazë dhe krizën humanitare që e ka krijuar.
“Amerika dhe Izraeli duhet të qëndrojnë së bashku”, ka thënë Netanyahu, i cili në xhaketë e ka mbajtur një shenjë solidariteti me pengjet izraelite që po mbahen nga Hamasi.
“Kur jemi bashkë, ndodh diçka e mrekullueshme: Ne fitojmë, ata humbin”.
Ai ka thënë se 7 tetori i vitit të kaluar do të jetë gjithmonë ditë turpi për izraelitët dhe e ka krahasuar me sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.
“Për Izraelin, premtimi ‘kurrë më” nuk duhet të jetë premtim bosh”, ka thënë ai, duke iu referuar shprehjes së krijuar për Luftës së Dytë Botërore.
“Pas 7 tetorit, ‘kurrë më’ është tani”, ka thënë ai.
Lufta e nisur më 7 tetor të vitit të kaluar është nxitur prej Hamasit, pasi militantët e grupit kanë kryer sulme në jug të Izraelit, duke lënë të vrarë mbi 1.200 izraelitë dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë.
Rreth 116 pengje besohet se janë ende në Gazë, përfshirë 42 që ushtria izraelite beson se janë të vrarë.
Izraeli, më pas, ka nisur fushatë në Gazë për të shkatërruar Hamasin.
Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në atë rajon janë vrarë më shumë se 39.000 palestinezë, raportojnë autoritetet shëndetësore palestineze.