“Kosova është një shtet dhe qëndron në mbrojtje të sovranitetit të saj, dhe kjo është e drejta e saj. Kam dëgjuar edhe diskutime se jo Kosova është projekt amerikan, jo i perëndimit, jo por Kosova është projekt i shqiptarëve, i drejtësisë së një populli që ka rikthyer vetë të drejtën që i takon”.
Kështu ka deklaruar në emisionin FIVE, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho, duke theksuar se veprimi i Qeverisë për mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit është legjitim.
“Duhet të marrin vesh se Kosova nuk është se çfarë thonë ata do të bëjnë, në një mënyrë vjen ndonjë njeri në Perëndim a dini çfarë jepjani veriun dhe të jemi rahat. Veprimi i Qeverisë është legjitim, sigurisht duhet të marri parasysh këshillat e partnerëve, në këtë kuptim duhet të ecin paralelisht”, ka thënë tutje ai.
Sipas tij, nuk mund të lejohet presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, me ambiciet e tij nacionaliste ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, ai mes tjerash ka theksuar se perëndimit i duhet një forcë demokratike si Kosova.
Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, Nesho ka thënë se bashkësia ndërkombëtare ka bërë lëshime dhe Vuçiq nuk ka marrë ende përgjigjen e merituar.
“Kosova nuk mund të qëndrojë e vetme, i përket Perëndimit, është një nga demokracitë më vibrante më e mira që ka Ballkani, sepse si regjimi në Tiranë, ashtu edhe Vuçiqi në Serbi nga regjime autokratike. Pra, Perëndimit i duhet një forcë demokratike si Kosova. Por Kosova ka edhe diçka tjetër të cilën ne duhet ta justifikojmë, edhe Perëndimi. Ka bërë shumë lëshime Perëndimi kur ka justifikuar veprimtarinë e Vuçiqit në sulmin terrorist të sponsorizuar nga Qeveria e Beogradit që është bërë në Banjskë, nuk mori përgjigjen e merituar Vuçiqit, po mbahet akoma si partner, për interesa diplomatike, për interesa ekonomike”, ka thënë ai.