Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjise (FKEE) ja njoftuar se të pretem e 14 qershorit, fillon shqyrtimi i listës së pritjes për aplikantët që kanë shprehur interesimin vitin e kaluar për të përfituar nga subvencionimi i investimeve për implementim të masave të energjisë efiçiente në shtëpitë individuale.
Sipas një njoftimi të këtij Fondi, thirrja fillestare për përfitim nga subvencionimi i mundësuar nga Bashkimi Evopian dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ka qenë aktive nga data 8 gusht 2023 deri më 25 shtator 2023.
FKEE i ka ftuar të gjithë aplikantët në listën e pritjes, e që sipas njoftimit, janë rreth 1000 sosh, të njoftojnë FKEE-në nëse ende janë të interesuar për të përfituar nga subvencionimi i implementimit të Masave të Efiçiencës së Energjisë (MEE).
“Për të gjithë të interesuarit, rikujojmë se kriteret që kërkohen për t’u kualifikuar për subvencionimin, janë: Shtëpia të jetë e banueshme në 21 nga 24 muajt e fundit (si kriter bazë), e që ka një konsum energjie të energjisë elektrike prej të paktën 250 kwh (kilovat/orë) në muaj; Gjithashtu, duhet të plotësohet së paku njëri nga kriteret si në vijim: a) shtëpia nuk ka termoizolim ose është nën kërkesat minimale teknike (trashësia e izolimit të murit të jashtëm është nën 8 cm, termoizolimi i kulmit nën 10 cm, dhe shtëpia ka dyer e dritare jo efikase); ose b) shtëpia është pjesërisht e izoluar, por një ose më shumë nga masat e pikës a) nuk i plotësojnë kërkesat minimale.”, thuhet në njoftim.
Ky Fond ka njoftuar se në bazë të Rregullores së MESPI nr.04/18 për kërkesat minimale të performancës energjetike të ndërtesave, izolimi termik i mureve të jashtme mbetet një kriter i detyrueshëm në të gjitha rastet.
“Kjo do të thotë që nëse aplikanti nuk do të investojë në termoizolim, masat e tjera nuk do të miratohen. Në mënyrë që procesi të jetë sa më i shpejtë, efikas dhe transparent, njoftojmë të gjithë aplikantët në listën e pritjes që të kontrollojnë postën e tyre elektronike (e-mail), në të cilën, me datë 14 qershor 2024, do të pranojnë njoftimin dhe kërkesën që të shprehin interesimin e tyre për të vazhduar tutje me procesin. Njëkohësisht, bëjmë me dije që mungesa e ndonjërës nga informatat e kërkuara në email, do të rezultojë me diskualifikim të kërkesës për trajtim të mëtutjeshëm.”, thuhet tutje në njoftim.
FKEE pret konfirmime nga të gjithë aplikantët e listës së pritjes, nga e premtja e datës 14 qershor 2024 deri të dielen e datës 23 qershor 2024.