Lajme

Nesër drafti i Asociacionit, Kosova dhe Serbia me vizione krejtësisht të ndryshme

By GAZETA SCANNER 1

May 01, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar me zëvendësin e tij Besnik Bislimin për në Bruksel, ku ditën e nesërme para vetes do ta kenë për herë të parë draft-Statutin fillestar të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe gjë për të cilën Kurti u shpreh se do të jetë “i lumtur” ta shohë se çfarë drafti ka hartuar Ekipi Menaxhues. Se ky takim do të jetë “i një rëndësie të veçantë” bëri të ditur edhe vetë Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Kurti, një ditë para shpalosjes së këtij draft-Statuti, tha se sa i përket Asociacionit do t’i qëndrojë “standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e minoriteteve” ndërsa shtoi se “nuk do të lejojmë të drejta për territorializimin dhe krijimin e çdo gjëje që do të dukej si Republika Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë”. Në dritë të kësaj, kryeministri siguron se sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit “nuk do të cenohet” dhe se një aranzhim strukturor i komunave të banuara me shumicë serbe “nuk dot të ketë pushtet ekzekutiv”.

Ndërkaq, i menjëhershëm qe reagimi i të drejtorit të Zyrës së ashtuquajtur për Kosovë në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i cili beson se “Kurti nuk është pozitë të lejojë apo të mos lejojë diçka për Asociacionin” duke vendosur në pikëpyetje dijenitë e kryeministrit Kurti rreth marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

“Kurti ose nuk i ka lexuar dokumentet e nënshkruara ose pretendon të mos kuptojë se çfarë shkruhet në to…Prandaj Kurti nuk ka bazë të del para me dëshirat dhe pikëpamjet arbitrare të tij mbi këtë çështje – për detyrë e ka të zbatojë çka është nënshkruar, me kushtin edhe që fillimisht të mësojë se si quhen marrëveshjen, kur janë nënshkruar dhe çfarë thonë”, tha Petkoviq, siç e cituan medait serbe.

Kujtojmë se Kurti (nëse nuk ka ndërruar qëndrime) thotë se Asociacionit mund të bëhet vetëm në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, qëndrimit të BE-së të shprehur nga ish-Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini dërguar ish-Kryeministrit Isa Mustafa se Asociacioni nuk do të përbëjë nivel të tretë ose të ndërmjetmë të pushtetit, si dhe një Op/Ed të botuar më 31 janar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar në lidhje me atë se çfarë do të jetë ky Asociacon.

Por, pala serbe, e cila haptazi shprehet se nuk do të pranojë Asociacion sipas Kushtetutës së Kosovës, i çon më tej akuzat ndaj kryeministrit Kurti. “Qëllimi i tij është të përdor dhunë dhe veprime të njëanshme në terren për të ndërruar në themel situatën në terren dhe kësisoj ta shndërrojë në irrelevant kursin e dialogut”.

Edhe Ministri serb i Jashtëm, Ivica Daçiq, është shprehur se “parakusht” për palën serbe për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit është themelimi i Asociacionit, ndërsa për këtë të fundit është shprehur se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të provojë t’ia zbehë “pushtetet dhe autoritetet” që përmbahen në të sipas marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015.

“Prishtina do të përpiqet të minimizojë rëndësinë e Asociacionit. Duke filluar nga emri, statuti, ekipi menaxhues, e duke përfunduar me autoritetin që ka komuniteti”, u tha Daçiq gazetarëve.

Çfarë ka thënë ndërmjetësi?

Takimi i parë i Nivelit të Lartë pas Marrëveshjes së Ohrit mbahet më 2 maj dhe në krye të agjendës do ta ketë fillimin e procesit të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Këtë e konfirmoi vetë Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në një intervistë për median sllovake “Dennik”, ku tha se është pikërisht draft-Statuti i Asociacionit ajo çfarë do të kenë në tryezë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Do të jetë hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, tha Lajçak. Se themelimi i Asociacionit është “nevojë urgjente” tha edhe Këshilltari i Lartë në DASh, Derek Cholllet.

“Për mua e rëndësishme është që më 2 maj të kemi takimin e planifikuar mes Presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti në Bruksel, ku fillimi i procesit të themelimit të Asociacionit [të Komunave të banuara me shumicë serbe] do të jenë në agjendë. Draft-Statuti do të paraqitet, i cili është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, tha Miroslav Lajçak këtë të enjte, shkruan Nacionale.

Lajçak vazhdoi të elaborojë edhe më tej për çka dhe pse po bëhet ky Asociacion: “për të qartësuar marrëdhënien mes qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës”, tha ai. Kjo, sipas tij, për arsye të “përcaktimit të statusit ligjor të serbëve të Kosovës dhe pakicës serbe në Kosovë”. Dhe, këtij Asociacioni, sipas Lajçak, i duhet përcaktuar “se çfarë kompetencash do të ketë”.

“Është temë e ndjeshme, ka ende shumë për të biseduar rreth saj, por për mua është e rëndësishme që më në fund të nisim të përcaktojmë se çfarë do të thotë ky Asociacion, cili do të jetë statusi ligjor i tij, çfarë kompetencash do të ketë. Do t’u rrimë prapa modeleve evropiane”.