Ekonomist-slider

Nënshkruhet marrëveshja për kredi me Bankën Botërore në vlerë prej 46 milionë për luftimin e COVID-19

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Kredisë me Bankën Botërore përmes Asociacionit Zhvillimor Ndërkombëtar, në vlerë prej 46 milionë euro për “Projektin Emergjent COVID-19 për Kosovën”.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, MF-ja ka bëre me dije se mjetet financiare do të destinohen në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimit të paraqitur nga COVID-19, duke mundësuar ndër të tjera prokurimin e pajisjeve mjekësore, si dhe forcimin e sistemit shëndetësor publik, duke i rritur kapacitetet e testimit dhe zgjerimin e kapaciteteve të Klinikës së Sëmundjeve Infektive.

Në kuadër të kësaj kredie, do të mbështeten skemat e ndihmave sociale dhe amvisëritë sipas Pakos së kaluar dhe Programit për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Asociacioni Zhvillimor Ndërkombëtar, si pjesë e Bankës Botërore, është institucion kredidhënës, i cili përmes huadhënies në kushte më të favorshme sesa të tregut financiar, synon të ndihmojë ndër të tjera reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve jetësore./Scanner/