Lajmest-slider

Nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për hekurudhat

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për hapjen e linjës hekurudhore.

Pak para se të nisë Konferenca e Sigurisë në Munih është firmosur letra e shprehjes së interesit për autostrada dhe letra e shprehjes së interesit për hekurudha.

Përmes këtyre letrave, Kosova dhe Serbia shfaqin gatishmërinë për rihapjen e rrugëve që janë pjesë e korridoreve hekurudhore dhe rrugore si dhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy kryeqytetet me njëri-tjetrin, ashtu si edhe me Europën.

Kjo marrëveshje është arritur me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell që njëherit është edhe i Dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Ujdia është firmosur në prani të Presidentit të Kosovës, Hashimn Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në muajin janar, Kosova dhe Serbia nënshkruan edhe ujdinë – e cila erdhi befasishëm – për rihapjen e linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kjo dinamikë e re në raportet mes Kosovës dhe Serbisë vjen pas angazhimit të drejtpërdrejtë të të Dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.