Ekonomi

Nënshkruhet marrëveshja me kompaninë italiane për kërkimin e naftës

Qeveria shqiptare dhe kompania italiane ENI kanë firmosur marrëveshjen për kërkim hidrokarburesh në bllokun e Dumresë.

Marrëveshja është firmosur nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku me përfaqësuesin e kompanisë italiane, ndërsa të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama me ambasadorin Cutillo.

Kryeministri Edi Rama, ka thënë se kjo është kontrata më e mirë dhe më e favorshme e firmosur për Shqipërinë, që do të sjellë shumë të ardhura, vlera dhe eksperiencë.

“Kompaninë e mirënjohur ENI, një histori e nisur shumë kohë më parë. U deshën 30 vite që sot të kishim një kontratë me ENI-n që nga vlera ekonomike, është më e mira dhe më e favorshme që është firmosur. I falenderoj miqtë italianë që janë treguar shumë të hapur dhe konstruktive ndaj kërkesës sonë për të pasur një kontratë për të pasur një përfitim të drejtpërdrejtë më të madh se kontratat e para për shtetin dhe të mirë-strukturuar.Ka pasur edhe një partner, që jo thjesht do të zbulojë naftë në Shqipëri, por do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore. Gjithashtu përfshirja e ENI-t te Pakti për Universitetin në një marrëdhënie me Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave për të hapur mundësi për trajnime, mastera dhe kështu me radhë.Më vjen shumë mirë që e firmosim këtë kontratë sot edhe pse përkoi me një moment të vështirë, por ishte një këmbëngulje nga ana e ministres që u mor me negocimin për t’i sjellë miqtë italianë para vitit të ri dhe pastaj të fillonte puna me eksplorimet. Sipas të gjitha studimeve, blloku i Dumeresë ka një rezervë të konsiderueshme, ashtu si zbulimi në Shpirag është një arsye më shumë për të vijuar”, ka thënë Rama.

ENI radhitet ndër kompanitë më të mëdha industriale të botës, dhe ka zhvilluar aktivitet në shumë vende. /RTSH/