Lajme

Nënkryetari i PDK-së: Kurti është misterioz, i “han” fjalët e veta

By GAZETA SCANNER 1

May 10, 2024

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është misterioz, pasi që sipas tij ndryshe mendon e flet dhe ndryshe vepron.

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, i cili tha se nuk e pranon Asociacionin si kusht për anëtarësim në KiE, Totaj thotë se Kurti shpesh ndodhë që i “han” fjalët e veta dhe del me veprime spektatolare për çfarë thotë se edhe pritet se çfarë do të ndodhë.

“Si PDK nga Kurti nuk e dimë se çfarë të presim, sepse është person misterioz dhe asnjëherë nuk i dihet se çfarë vepron. Shpesh i ka ‘hëngër’ fjalët e veta, shpesh ka dalë me veprime spektakolare, të cilat në fakt kanë qenë regresive… fjalët e tij pak kanë vlerë, pak kanë peshë”, deklaroi ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Ndërkohë, Totaj thotë se Kurti ka realizuar fare pak projekte prej atyre që i ka premtuar.

“Kurti ka dhënë ka shumë fjalë deri më tani, mirëpo veprimet zakonisht nuk kanë pësuar harmoni me ato çka i ka thënë. Çfarë thotë ai, deri më tash është treguar që nuk ka vlerë. Të shohim se çfarë veprimesh do të marrë. E dimë çfarë premtimesh ka dhënë, shumë pak nga ajo është realizuar”, tha kryetari i Prizrenit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar i prerë se nuk e dërgon draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, ndonëse ka qenë kërkesë e Francës dhe Gjermanisë.