Lajme

Nënkryetari i BDI-së: Deklarata e Kurtit për gjuhën shqipe skandaloze, ua ka borxh shqiptarëve një sqarim

By GAZETA SCANNER 1

November 19, 2024

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi e ka quajtur skandaloze dhe të pabazuar në fakte deklarimin e së hënës të kryeministrit Kurti se në Maqedoni të Veriut nuk ka dhe nuk ka pasur ligj për përdorimin e gjuhës shqipe.

Demi ka thënë se me të njëjtin qëndrim qarqe nacionaliste atje kanë iniciuar iniciativa për shfuqizimin e gjuhës shqipe një ndër të cilat e më serioze sipas tij është iniciativa nga vetë kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski.

Po ashtu ai ka treguar se lidhur me këto deklarime të Kurtit të hënën ka pranuar kërkim falje nga shumë politikanë kosovarë.

“Deklarimi i kryeministrit Kurti ka qenë skandaloz, i dëmshëm dhe fare i pabazuar në fakte, pikërisht pse gjuha shqipe është zyrtare qarqet nacionaliste të cilat e shfrytëzojnë të njëjtin fjalor sikur Kurti kanë iniciuar procedura para Gjykatës Kushtetuese bëhet fjalë për dhjetëra iniciativa për shfuqizimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Njëra prej iniciativave më serioze për shfuqizimin e gjuhës shqipe është iniciativa e vetë mysafirit që e kishte Kurti dje në Prishtinë pra e Hristijan Mickoskit kryeministrit të Maqedonisë. Personalisht kam pasur kontakte me një sërë politikanësh të cilët edhe i njoh që janë prej partive të ndryshme në Kosovë edhe më kanë kërkuar falje për deklaratat e Kurtit”, është shprehur ai në emisionin “Ditari”, në Tëvë1.

Demi ka thënë se Kurti e ka për obligim të sqarohet për deklaratën e dhënë.

“Kryeministri Kurti ua ka borxh shqiptarëve një sqarim”, tha ai.

Të hënën kryeministri Kurti në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski deklaroi se në Maqedoni të Verit nuk ka ligj për përdorimin e gjuhës shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën por sipas tij ekziston ligji për përdorimin e  gjuhëve.