Ekonomi

Në Shqipëri nga 2026 pagat e atyre që punojnë në shtet do të rriten aq sa do të shtrenjtohen çmimet

By GAZETA SCANNER

December 28, 2024

Pagat e atyre që punojnë në shtet, nga viti 2026 do të rriten aq sa do të shtrenjtohen çmimet. Për këtë qëllim qeveria ka parashikuar një fond prej 4.3 miliardë lekësh. Kjo shumë është sa 0.2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Pra duhet parë inflacioni në vitin2025, ai inflacion do të merret për bazë për indeksimin e pagave në sektorin publik në vitin 2026. Sigurisht që kjo është një shifër minimale dhe në parim fuqi blerëse mbetet po e njëjtë. Pra një punonjës i administratës publike, pas indeksimit merr të njëjtën gjë”, tha për A2 CNN, eksperti për ekonominë, Eduart Gjokutaj.

Ndërkohë pas objektivit për “pagë mesatare 900 euro”, qeveria duket se ka hequr dorë nga reforma të ngjashme. Për vitet 2025 dhe 2026 nuk është parashikuar asnjë fond për politika të reja pagash nga 11 miliardë lek lekë këtë vit.

“Në radhë të parë pagat duhet të rriten çdo vit, pra jo të grumbullohet rritja dhe të bëhet në një vit të caktuar kur vjen situata ekonomike apo njerëzit largohen. Nuk duhen bërë ndryshimet kur jemi keq. Ndryshimet duhet të bëhen paraprakisht”, nënvizoi Gjokutaj.

Me gjithë retorikën e madhe për rrite pagash, një shqiptar pavarësisht nëse është rrogëtar në shtet apo privat, merr mesatarisht 3.6 euro në orë. Një orë punë në Shqipëri vlerësohet më pak se në çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës.

“Paga jepet për sa paguhet një punë në treg. Nëse një punë në treg paguhet X, aq duhet të paguhen edhe punët e ngjashme me të. Kush pastaj ka performancë më të lartë, do të duhet të marrë diçka më shumë”.

Kriza e veçanërisht tre viteve të fundit, ktheu vëmendjen e bizneseve dhe qeverisë si kurrë më parë te punonjës. Për të frenuar disi emigracionin, qeveria nisi vitin e shkuar reformën e pagave në administratën publike.