Lajme

Në janar 2024 pritet të fillojë procesi gjyqësor ndaj ish-kryeshefit të Telekomit Agron Mustafa

By GAZETA SCANNER 1

September 03, 2023

Në janar të vitit 2024 pritet të fillojë procesi gjyqësor ndaj ish-kryeshefit të Telekomit, Agron Mustafa, lidhur me akuzën për rastin “PAYKOS”, që pretendohet se i ka shkaktuar dëm Telekomit afro 7 milionë euro.

Kështu ka bërë të ditur gjykatësi i ngarkuar për gjykim të kësaj lënde, Sabit Sadikaj për “Betimin për Drejtësi”.

Sadikaj ka njoftuar se lënda do të trajtohet në bazë të radhës se kur është dorëzuar aktakuza nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar për ngritje të aktakuzës ndaj Mustafës më 4 maj 2023.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 € (gjashtë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e dy euro).” – thuhej në njoftim.