
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se në Kosovë kanë arritur frigoriferët për ruajtjen e vaksinës kundër COVID-19 që bëjnë ftohjen dhe mirëmbajtjen për vaksinat deri në -86 gradë.
MSH e ka datën e fundit të hënën e 18 janarit për t’i dorëzuar kompanisë COVAX listën me të dhënat e personelit shëndetësor që do të vaksinohet i pari.
Zemaj ka shkruar në Facebook se janë gati për pranimin e vaksinës, siç kërkojnë kushtet e ruajtjes, të cilat e kërkojnë frigoriferin deri në minus 70 gradë.
“Po ashtu, kemi përgatitur strategjinë për vaksinim dhe distribuimin e saj. Në MSh dhe IKSHKP janë marrë të gjitha masat dhe jemi përgatitur për vaksinim. Vaksina po vjen!”
Postimi i plotë:
Qytetarë të vendit tim, profesionistë shëndetësorë, partnerë ndërkombëtarë, bashkëpunëtorë në luftimin e pandemisë Covid-19,
Sot arritën frigoriferët për ruajtjen e vaksinës anti Covid, të siguruar nga Ministria e Shëndetësisë që bëjnë ftohjen dhe mirëmbajtjen për vaksinat deri në – 86 gradë.
Jemi gati për pranimin e vaksinës, siç kërkojnë kushtet e ruajtjes, të cilat e kërkojnë frigoriferin deri në minus 70 gradë. Po ashtu, kemi përgatitur strategjinë për vaksinim dhe distribuimin e saj.
Në MSh dhe IKShKP janë marrë të gjitha masat dhe jemi përgatitur për vaksinim. Vaksina po vjen!
Ruani higjienën, bartni maskë dhe mbani distancën!
Bashkë ia dalim!