Lajme

Në Drenas lansohet Strategjia e Arsimit, Lladrovci: Le të jetë mundësi për arritje të mëtejme në arsim

By GAZETA SCANNER 1

November 30, 2023

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, mori pjesë në lansimin e Strategjisë së Arsimit, ku morën pjesë autorët e saj, drejtorë e arsimtarë, raporton Scanner.

Tash, drejtorë të shkollave, arsimtarë, prindër, nxënës, arsimdashës e qytetarë, të punojmë më fort, më shumë, më shpejt për jetësimin e strategjisë, ka theksuar Lladrovci.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Me rastin e lansimit të Strategjisë së zhvillimit të arsimit parauniversitar të komunës tonë, për periudhën 2024-2029, edhe një herë i falënderoj të gjithë kontribuesit e kësaj strategjie, dhe mbajta këtë fjalë rasti:

I nderuari prof. Hyseni, I nderuari prof. Tahiri, I nderuari prof. Thaçi, I nderuari prof. Salihaj, I nderuari z. Mustafa, z. Gjoka, Drejtorë, prindër e nxënës të dashur,

Sot, ne po e lansojmë Strategjinë e Arsimit për komunën e Drenasit, Strategjinë e zhvillimit të arsimit parauniversitar të komunës tonë, për periudhën 2024-2029.

Mirëqenia, barazia para ligjit, transparenca, llogaridhënia, vendimet demokratike dhe parimet tjera të qeverisjes së mirë, nuk mund të zbatohen e as të merren me mend, pa arsim cilësor. Prandaj, duke e ditur se tek arsimi fshihet çdo sukses yni lokal e nacional, në lëvizjet e zhvillimet globale, arsimi ishte dhe mbetet prioritet yni.

Arsimi dhe sukseset në arsim, pres të jenë emëruesi i përbashkët i qeverisjes së mirë në komunën e Drenasit.

Nëpërmjet kësaj strategjie, pres që arritjet e deritashme të tejkalohen, si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga cilësia e vëllimi, me synimin e qartë që arsimi t’i përgjigjet zhvillimeve dinamike që po na përcjellin.

I nderuari Profesor Hyseni, Të nderuar të pranishëm,

Personeli arsimor me infrastrukturën shkollore, ambientet, kabinetet, pajisjet dhe mjetet e konkretizimit, laboratorët, puna praktike, trajnimet e vazhdueshme, krijimi i klimës pozitive dhe motivuese për mësim, janë disa nga arritjet tona, të cilat dëshmohen me arritjet e nxënësve tanë.

Në këtë strategji, do të gjejmë përgjigjet për sfidat që na presin, dhe për të cilat ne jemi gati të ballafaqohemi që arsimi të vazhdojë të jetë prioritet i parë në zbatim, edhe nëpërmjet kësaj strategjie.

Në Strategji thuhet se “Edukimi do të jetë prioritet përballë arsimit, Puna edukative, arsimore dhe aftësuese do të jetë atraktive, inovative në parimin e qasjes proaktive”, qasje sa e domosdoshme, aq edhe synim yni.

Në mesin e kapitujve të Strategjisë, ku zhvillohen temat, dua ta veçoj si tejet domethënës, kapitullin “Parimet e zhvillimit të përshpejtuar strategjik- çelës i suksesit”.

Strategjia, si e tillë, na jep mundësi të heqim kufizimet e arritjeve tona të deritashme, të heqim hamendësimet se nga po shkon arsimi i komunës tonë.

Falënderoj dhe shpreh mirënjohje për anëtarët e Ekipit Hartues të kësaj strategjie, drejtorin e Arsimit si dhe kontribuuesit tjerë të cilët prijnë me përvojën, idetë dhe punën edhe për jetësimin e saj.

Tash, drejtorë të shkollave, arsimtarë, prindër, nxënës, arsimdashës e qytetarë, të punojmë më fort, më shumë, më shpejt për jetësimin e strategjisë.

Le të jetë sfida jonë mundësi për arritje të mëtejme, le të jetë strategjia udhëzim për maksimalizimin e angazhimit tonë, për arsim të shekullit 21.

Faleminderit!