Lajme

Ndryshimi i linjave të autobusëve në kryeqytet, 30 ankesa nga qytetarët

By GAZETA SCANNER 1

November 06, 2023

Janë bërë më shumë se dy javë që kur linjat e trafikut urban kanë ndryshuar.

Tashmë linjat 1, 1A, 3, 3B, 3C, 4 dhe 7C do të operojnë në pjesë të tjera të qytetit ku nuk kanë qarkulluar më parë.

Me këtë ndryshim banorët e rrugës “B” tani do të kenë transport publik, pjesë kjo e cila më herët nuk kishte mbulueshmëri nga rrjeti i linjave të transportit publik.

E ky vendim i marrë nga Komuna e Prishtinës për shkak të mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush”, nuk u mirëprit nga disa qytetarë.

“Paraqet problem se ka xhamia e llapit kur shkojke ka qenë ma mirë, tash ma mangët diqysh po duhet me i ndërru dy linja e nuk është mirë duhet me vazhdu qysh ka qenë përpara”, thotë qytetari Shyqiri Qelaj.

E disa qytetarë tjerë ndryshimin e linjave nuk e kanë edhe aq të qartë derisa flasin vetëm me çfarë kanë dëgjuar.

“1shi kam dëgju se po shkon deri tek ndërtesat e bardha, aq kam dëgju”, shprehet Zena Aliu.

“Unë vetëm 1shin e shfrytëzoj herën e fundit i ka ra ka pallati i Rinisë , Plepat e më nuk ka shku”, thotë Zijadin Spahiu.

Ndërkohë Mentor Isufaj, drejtor i operativës dhe menaxher i transportit në “ Trafikun Urban” tregon se si janë ndryshuar linjat.

Megjithëse kanë pranuar rreth 30 ankesa nga qytetarët, Isufaj thotë se tashmë vërehet një rënie e numrit të ankesave gjë e cila sipas tij qytetarët po adaptohen me këtë ndryshim.

“Tri ditët e para i kemi pranu diku rreth 20-30 ankesa, ankesa ka pa ndalë cdo ditë mirëpo vërehet një rënie e numrit të ankesave për ndryshimin e linjave me siguri kanë fillu me i kuptu dhe me u adaptu me këtë ndryshim”, thotë Isufaj.

Rruga “Xhorxh Bush” e cila deri më tash në disa raste ka qenë e hapur për qarkullim, tashmë do të jetë përfundimisht e mbyllur për qarkullimin e veturave dhe autobusëve.