Lajme

Ndikimi i pushteti serb te të rinjtë në raport me Kosovën, ende i madh

By GAZETA SCANNER 1

August 19, 2024

Në Serbi, një pjesë e konsiderueshme e të rinjve e shohin Kosovën nga perspektiva e pushtetit. Sipas një hulumtimi të një organizate rinore, 31% e të rinjve mbështesin idenë që Serbia ta kthejë nën kontroll të plotë Kosovën në momentin e duhur. Për shoqërinë civile në Serbi, është shqetësuese gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Sipas një hulumtimi nga një organizatë rinore, është shqetësuese që 31% e të rinjve mbështesin idenë që Serbia të rikthejë kontrollin e plotë mbi Kosovën në momentin e duhur, duke përdorur mjete ushtarake. Kjo përqindje lidhet me ndikimin e politikanëve.

“Çështja e zgjidhjes së Kosovës është ende në domenin e politikës së lartë, ku politikanët përdorin hapësirën publike dhe një narrativë militante, shpesh, pa marrë parasysh pasojat, që kjo ka në shoqëri. Të rinjtë dëgjojnë atë që thuhet në media, ku shpesh dënohet ‘pala tjetër’, dhe kjo krijon një narrativë urrejtjeje që të rinjtë e përvetësojnë shpejt”, tha Milana Pejiq, Organizata Ombrellë e të Rinjve të Serbisë.

Për shoqërinë civile, është shqetësuese rritja e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe mungesa e reagimit nga prokuroria. Kulmi është qe intervenimi ushtarak shihet si një opsion legjitim.

“Shkaktarët i shoh në pengimin e dialogut Beograd-Prishtinë, justifikimin e aktiviteteve paraushtarake të grupit rreth Milan Radojiçiqit nga autoritetet në Serbi, glorifikimin e kriminelëve të luftës si Vlladimir Llazareviq, si dhe nxitjen e albanofobisë në baza ditore”, tha Marko Millosavleviq, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Shoqëria civile thotë se duhet investuar më shumë në programe të bashkëpunimit.

“Ka shumë pak programe që zhvillohen ndërmjet komuniteteve të ndara dhe duhet të ketë më shumë investime që të rinjtë të takohen dhe të kuptojnë se bashkëpunimi është një opsion shumë më i mirë për zgjidhjen e problemeve të tyre sesa ndarja”, tha Pejiq.

Një pjesë e shoqërisë në Serbi beson se për të arritur një paqe të qëndrueshme, është e nevojshme të krijohet një hapësirë lirie në Serbi dhe Kosovë, ku të rinjtë mund të punojnë dhe të krijojnë, pa kërcënime nga dhuna.