Lajme

Ndarja e 350 mijë eurove për Listën Serbe, konsiderohet se është shkelë Ligji për Zgjedhjet

By GAZETA SCANNER 1

January 18, 2024

Përmes pamjeve u dëshmua se ishte pjesë e grupit terrorist që vrau një zyrtar policor në Banjskë të Zveçanit.

Madje, vetë Milan Radoiçiq që ishte në atë kohë nënkryetar i Listës Serbe, pranoi se ishte në krye të këtij grupacioni. Por, gjatë javës së kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ndau këtij subjekti politik shumën në vlerë prej 350 mijë eurosh nga buxheti i shtetit.

Deputetja e partisë në pushtet, Arjeta Fejza në emisionin “Ditari” në Tëvë1 u shpreh se ky vendim është marrë për shkak se është obligim kushtetues, përderisa Prokuroria nuk ka vërtetuar të kundërtën.

“KQZ –ja është e detyruar të veproj konform ligjit dhe ligji e obligon të ndaj mjete për të gjitha partitë që janë të regjistruara në Republikën e Kosovës. Është e rëndësishme që prokuroria të jetë shumë aktive në mënyrë që të sqarohet mirë dhe përfundimisht lidhja që ka pasur jo vetëm Radoiçiq por edhe anëtarët e tjerë. Në këtë mënyrë do të mirreshin pastaj masa konkrete në drejtim të vendosjes së një statusi për Listën Serbe e cila nënkryetarin e ka pasur të përfshirë në një sulm që është më i madhi që e ka cenuar rëndë Kosovën, nga i cili është dukur qartë që qëllimi ka qenë aneksimi i veriut”, ka thënë ajo.

E ky veprim po shihet si një cenim i sigurisë kombëtare të vendit. Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, vlerëson se deklarimet publike të krerëve shtetërorë se

Lista Serbe qëndron prapa këtij sulmi, është arsyeja më e fort për mosfinancimin e saj.

Ndërkaq edhe profesori universitar, Mazllum Baraliu potencon se një vendim i tillë nga KQZ-ja është i gabuar dhe në shkelje me ligjin për zgjedhjet.

Tëvë1 ka kërkuar përgjigje nga KQZ se a do ta rishikojnë këtë vendim, por që deri në publikimin e kronikës nuk ka pasur përgjigje.