Lajme

Ndalohet konsumimi i pijeve alkoolike në ditën e zgjedhjeve në Turqi

By GAZETA SCANNER 1

May 14, 2023

Qendrat e votimit në të gjithë Turqinë do të hapen të dielën në orën 08:00 me orën lokale, ku do të fillojë votimi për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Turqit do të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare dhe do të zgjedhin mes tre kandidatëve presidencialë dhe 24 partive politike dhe 151 kandidatëve të pavarur për Parlamentin, i cili ka gjithsej 600 vende.

Të drejtë vote kanë 64.11 milionë njerëz ndërsa më shumë se 4.9 milionë qytetarë turq votojnë për herë të parë, shkruan Anadolu, transmeton Klankosova.tv.

Presidenti aktual Rexhep Tayyip Erdogan, Kemal Kiliçdaroglu dhe Sinan Ogan, sipas renditjes në fletëvotim, janë kandidatët për president të Turqisë teksa kandidati i katërt, Muharrem Ince, tërhoqi më herët kandidaturën.

Megjithatë Turqia ka disa ndalesa që mbase vendet e tjera të botës nuk i kanë në ditën e zgjedhjeve si është ndalimi i konsumimit të alkoolit dhe mbajtja e dasmave pas orës 18:00.

Ndalimet për ditën e zgjedhjeve

Pijet alkoolike nuk do të shiten nga ora 06:00 deri në orën 12:00, orën lokale të dielën, dhe do të ndalohet ofrimi i tyre në vende publike.

Vendet e argëtimit do të qëndrojnë të mbyllura gjatë votimit dhe vetëm ushqimet do të lejohen në restorantet që janë ambiente argëtimi.

Dasmat do të zhvillohen pas orës 18:00, me kusht që të respektohen ndalesat e zgjedhjeve dhe rregullat e përcaktuara.

Askush nuk do të mund të mbajë armë përveç atyre që janë të ngarkuar me ruajtjen e sigurisë dhe rendit.

Radiot dhe organet e transmetimit nuk do të mund të raportojnë lajme, të bëjnë parashikime dhe të komentojnë rezultatet e zgjedhjeve deri në orën 18:00 në ditën e zgjedhjeve.

Vetëm lajmet dhe komunikata që do të jepen nga YSK për zgjedhjet mund të transmetohen në orën 18:00. dhe ora 21:00 në radio dhe platformat tjera të transmetimit.