Lajme

Ndalohen tre persona për rrezikim të trafikut publik dhe mosdhënie të ndihmës personit të lënduar

By GAZETA SCANNER 1

January 26, 2024

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ndaluar të dyshuarit F.A. dhe B.A., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘’Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme’’ dhe ‘’Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të dyshuarin L.M., për shkak të veprës penale ‘’Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik’’, të KPRK-së.

Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit F.A. dhe B.A, më 25 Janar 2024, rreth orës 00:50 minuta, me automjetet e tyre, së bashku me tani të ndjerin L.R., gjatë drejtimit të automjeteve kanë zhvilluar gara, të cilat janë të ndaluara me ligj, që nga dalja e Gjilanit deri në hyrje të fshatit Dobërçan, ku edhe i ndjeri L.R., ka pësuar vetaksident dhe ka humbur jetën.

Po ashtu, dyshohet se pas vetaksidentit, të dyshuarit – vozitësit F.A. dhe B.A., si dhe i dyshuari – pasagjeri L.M., , nuk i kanë dhënë ndihmë tani të ndjerit L.R., duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.