Botë

NATO hap qendër trajnimi në Zadar

Katër anëtare të NATO-së, Bullgaria, Kroacia, Hungaria dhe Sllovenia, kanë hapur Programin shumëkombësh të Aviacionit special në Zadar, Kroaci. Kjo qendër trajnimi do të shërbej për trajnimin e ekuipazheve ajrore që janë përgjegjëse për transportin e forcave për operacione speciale.

Nikoqir i ceremonisë ishte zëvendës kryeministri kroat, njëkohësisht ministër i Mbrojtjes, Damir Krstiqeviç, ndërsa pjesëmarrës ishin ministrat e mbrojtjes dhe përfaqësuesit e katër anëtareve të NATO-së, shefi i shtabit të Ushtrisë kroate, Mirko Shundov, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm të NATO-së për investime në mbrojtje, Camille Grand si dhe komandanti i selisë së operacioneve speciale të NATO-së, gjeneral- lejtnant, Eric Wendt.

“Programi shumëkombësh i Aviacionit special” përfaqëson qëllimin të cilit i shërben NATO-  aleatët arrijnë më shumë së bashku se sa do të mundnin individualisht. Duke u zotuar të trajnojmë gjeneratën e ardhshme të ekuipazheve të aviacionit të forcave të operacioneve speciale në një vend, ju pjesëmarrësit, po vendosni themelet për operacione të përbashkëta gjithnjë e më të kompakte,” tha Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm, Camille Grand.

Qendra e trajnimit do të fillojë punën në vitin 2020 me trajnime akademike, para se të fillojë trajnimi për fluturime në vitin 2021. Vendndodhja ofron mundësi trajnimi për ekuipazhet e helikopterëve në ambiente të ndryshme gjeografike, përfshirë malet, detin dhe ishujt.