Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se opsioni i blerjes së librave nga ana e prindërve e më pas rimbursimi i mjeteve për ta përmes platformës digjitale “eKosova” është formë e lehtë dhe që nuk sjellë telashe.
Ajo ka thënë se edhe me këtë variant, ministria i kryen detyrat me të cilat është e ngarkuar. Mbi këtë bazë, e para e arsimit në vend, ka thënë se nuk e di pse është bërë temë diskutimi kjo metodë.
“Kemi thënë se po e shqyrtojmë mundësinë që të gjithë prindërit të aplikojnë në eKosova, në një mënyrë shumë të thjeshtë do të listohen nga regjistri civil emri i prindërve, do të selektohet shkolla dhe do të shënohet numri i xhirollogarisë”, ka thënë Nagavci në “RTK Prime”.
Ajo ka theksuar se lansimi i platformës digjitale për rimbursimin e mjeteve për prindërit synohet të bëhet të enjten.