Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inavacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci deklaroi të premten mbrëma, se deri në ora 19:00, në platformën për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore, kanë aplikuar 11,800 prindër ose kujdestarë ligjor. Platforma për aplikim, sipas saj, do të mbetet e hapur deri në fund të shtatorit.
“Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Nga Drejtoritë komunale të arsimit, ajo tha e kanë kërkuar që listat për tekstet mësimore të zgjedhura nga aktivat profesionale, t’i bëjnë publike në shkolla dhe në webfaqet e tyre, ashtu që prindërit të kenë të dhënat e nevojshme për tekstet që do të blejnë për fëmijët e tyre.
“Jemi të njoftuar po ashtu se mësimdhënësit tashmë kanë filluar t’i ndajnë këto lista me prindërit. Ndërsa shtëpitë botuese kanë publikuar katalogët e teksteve mësimore me çmimet përkatëse dhe kemi marrë zotimin që çmimet nuk do të rriten e po ashtu që sasia e teksteve është e mjaftueshme për numrin e nxënësve”, ka deklaruar ministrja Nagavci.
Institucionet edukativo-arsimore me fillimin e vitit të ri shkollor, përmes DKA-ve, siç tha ajo, do të njoftoj ministrinë në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor, “duke evidentuar edhe rastet eventuale të nxënësve të cilët mund të mos jenë pajisur me tekste shkollore si rezultat i mos-pranimit të mjeteve nga ana e prindërve për çfarëdo arsye”.
“Të gjitha rastet e adresuara nga shkollat/ DKA-të apo në emailin libri@rks-gov.net do të trajtohen, ashtu sikurse do të adresohet çdo shqetësim teknik apo tjetër, dhe asnjë nxënës nuk do të mbetet pa përfituar mbështetjen për tekstet dhe mjetet mësimore”, ka shkruar Nagavci.