Retro

Muzika në luftë me pandeminë për 2700 vjet

Sëmundja përvidhet vërdallë. Derisa banorët janë mbyllur pas dyerve, zor të dëgjohet ndonjë hap nëpër rrugët e kalldrëmta të Milanos. Një karantinë e rreptë është në fuqi dhe krejt tregtia dhe jeta publike është mekur. Hapësira përreth Il Duomos, katedrales së hirshme të qytetit, rri e zbrazët.

Nga frika e shpërhapjes, të gjitha tubimet fetare janë ndaluar. Por, kur bëhet fjalë për besimin e tyre – dhe, më e rëndësishmja, muzikën e tyre – asgjë nuk u del njerëzve para. Duke e përvijuar një thirrje për të “shkuar me shpirt në kishë”, ata kanë nismuar një akt kolektiv të mosbindjes sociale e muzikore. Dritaret e dyert janë të hapura dhe ballkonet e mbushura me mijëra burra, gra e fëmijë fillojnë të këndojnë.

Jo, ky nuk është Milano gjatë mbylljes së koronavirusit. Është vera e 1576-s dhe murtaja e Shën Karlit ka shkretuar pjesën më të madhe të veriut italian. “Kishte çfarë të shihej”, njoftonte një komentues, “kur të gjithë banorët e këtij qyteti të populluar, që numëronte diç më pak se 300 mijë shpirtra…(dërguan) bashkërisht një zë harmonik”. Ishte aso pamje, shkroi ai, sa Milano dukej posi vetë “Jerusalemi parajsor”.

“Vetëm mendoni, teksa shëtisni mespërmes Milanos, nuk dëgjohet asgjë tjetër përveç këngëve”, një tjetër vuri re përmallshëm. “Dikush, me sa duket, nuk deshi që këto gjëma të zgjasin edhe pak”. Krahasimet me pandeminë e tanishme janë të forta. Njerëzit në Itali, Spanjë dhe gjithandej botës kanë përdorur muzikën për t’i bërë bashkë komunitetet në një shkallë vërtet mbresëlënëse: video të koncerteve nëpër ballkone – gjatë të cilave muzikantët e karantinuar performojnë për fqinjët e tyre – po shpërhapen në mënyrë virale, dhe coverë të “Nessun Dormas”, “Valeries”, “Imagines” dhe madje edhe një ushtrim me afsh i Lewis Capaldit, “Someone You Loved” janë shpërfaqur.

Në një jeho prekëse të murtajës së Shën Karlit, një trumpetist milanez ka ofruar një interpretim të shpirtshëm të “O Mia Bela Madunina”, himni i qytetit për Marinë e Virgjër të praruar në ar në krye të “Il Duomo”. Shembull tjetër i kohës së fundit është edhe “Clap for the NHS” nga Mbretëria e Bashkuar. Në këtë rast, nuk kishte rëndësi nëse ishe muzikant: qypat, tiganët, duart dhe goditjet ishin të mjaftueshme. Të tilla gjeste të përbashkësisë na ofrojnë rehatinë aq shumë të nevojshme.

Por, në peizazhin e gjerë të historisë, do të ishte anomali nëse ne nuk do të luanim muzikë në këtë mënyrë. Qysh në hershmëri tek egjiptianët e vjetër, grekët e babilonasit, muzika ka qenë një mjet i besueshëm për shërbim shpirtëror dhe lidhje shoqërore për mijëra vjet mes dergjjeve.

Kur murtaja pllakosi Spartën në shekullin VII para Krishtit, krerët e qytetit i kërkuan poetit Thalet që të këndonte himne dhe Terpanderi, një tjetër poet i moçëm grek, u ftua në Lezbos gjatë murtajës. Madje edhe Pitagora, krijues i teoremës së dashur për çdo nxënës shkolle, përdorte muzikën si mjet terapeutik, duke luajtur me lirë për t’i qetësuar huliganët e bërë xurxull.