Lajme

Mustafi: Ka listë të ndalimit nga serbët për shqiptarët e Luginës

By GAZETA SCANNER 1

August 08, 2023

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi Ragmi Mustafi, ka folur për ndalimin e Ardita Sinanit në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se serbët kanë një listë të shqiptarëve që të ndalohen.

“Se ka a listë apo jo, kjo mund të thuhet që ka, ngase ka pasur edhe në të kaluarën njerëz, që për shkak të pozicioneve, për shkak të angazhimeve, që janë të ndaluar me Kosovë, por edhe me vende të tjera, të cilët kanë kaluar përmes një rivërtetimi të sigurisë së brendshme të policisë e që më pas një pjesë e tyre janë liruar dhe janë lejuar që të kalojnë”, u shpreh Mustafi.

Mustafi, i ftuar në Edicionin Special në Klan Kosova, tregoi se ndalimi i qytetarëve të Luginës ndodh shumë shpesh për shkak të pozitës, të cilën e kanë.

“Kjo është një nga mënyrat e presionit, ndodh që shpesh herë të kthejnë qytetarë, varësisht prej pozitës, prej rëndësisë, prej qasjes së tij publike, apo punës ku punon, ka raste të ndryshme. Rasti i zonjës Sinani, është për shkak se është këshilltare e kryeministrit të Republikës së Kosovës”.