Kosova prej kohësh kërkon që Bashkimi Evropian të jetë më neutral në ndërmjetësimin e dialogut.
Balancim të ndërmjetësuesve në këtë proces ka kërkuar edhe Parlamenti Evropian me anë të një rezolute të miratuar të enjten.
E presidenti i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Besnik Mustafaj, thotë se pikërisht mosbalancimi po ndikon negativisht në dialog.
“Më e vogla që mund të thuhet është që qasja ndërkombëtare është e zhbalancuar. Do me thënë presioni që bëhet mbi Prishtinën, me presionin që bëhet mbi Beogradin nuk janë në të njëjtën gradacion, nëse përdorim një term nga fizika. Pra në këtë drejtim, duke qenë një presion i zhbalancuar prodhon pak padrejtësi sepse një dialog kërkon mirëbesim, kërkon vullnet njësoj nga të dyja palët”, tha Mustafaj.
Ndonëse asociacioni i komunave me shumicë serbe po kërkohet të bëhet sipas Kushtetutës, sipas ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, ai duhet të bëhet vetëm në këmbim të njohjes nga Serbia.
“Me këtë akt të fundit Serbia tregoi që është me mentalitetin e 99’ dhe se do ta përdor këtë asociacion për destabilizim të Kosovës … por ky asociacion është i pashmangshëm edhe unë e kam këtë bindje, por nuk kam aspak bindjen se do të krijohet shumë shpejtë. Ky duhet të jetë rezultante e njohjes reciproke e njohjes nga Serbia, për ndryshe nuk ka kuptim”, tha presidenti i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.
Diplomati Mustafaj, gjatë intervistës ka deklaruar se nuk sheh ndonjë mundësi që zbatimi i marrëveshjes për normalizim të zbatohet së shpejti dhe se për këtë, sipas tij, fajtor është Beogradi.