Lajme

Mustafa: Vendimi i Qeverisë për mallrat serbe për t’i shpëtuar sanksioneve më të thella

By GAZETA SCANNER 1

October 08, 2024

Arben Mustafa, anëtar i kryesisë së PDK-së, ka thënë se vendimi i ndryshimit të masës për mallrat serbe nga Qeveria e Kosovës, është vendim për të shpëtuar nga masat e sanksionet më të ashpra.

Ai ka thënë se ky nuk është një vendim që i hap rrugë zhvillimit apo integrimit të vendit.

“Nuk po flasim për një vendim të Qeverisë së Kosovës, për t’i hapur rrugë zhvillimit të Kosovës, për t’i hapur rrugë integrimit apo fuqizimit të shtetësisë së Kosovës, por për një vendim që do ta shpëtojë apo jo Kosovën nga sanksione edhe më të ashpra. Kjo është situata në të cilën gjendemi”, ka thënë Mustafa në emisionin “InfoNata” në Tëvë 1.

Gjermania kishte kërkuar që Kosova të heqë bllokimin për mallrat serbe, si këmbim që në CEFTA të përfaqësohet me fusnotë e jo më nga UNMIK-u.

E Mustafa thotë se nuk dihet se si do të përfaqësohet Kosova, por potencoi se vendimi nuk hap një perspektivë të re zhvillimore.

“Se si do të përfaqësojë Kosovën në CEFTA kjo qeveri mbetët të shihet, por ajo cfare kemi pa me këtë vendim ne ndoshta do të shpëtojmë nga izolimi i mëtejmë mirëpo nuk është një vendim që po na ofron një perspektivë të re zhvillimore”, tha ai.

Nga e marta, produktet serbe mund të hyjnë përmes pikës kufitare në Merdarë.

Mirëpo në hyrje të tyre, do të ketë kontrolle të shtuara dhe detajuara nga Dogana e Kosovës.

Ky ndryshim nga Ministria e Punëve të Brendshme erdhi pas kërkesave të ndërkombëtareve për largim të kësaj mase të ndalimit.

Por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se kjo masë është derisa të vijnë skanerët.

“Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar, derisa të na vijnë skanerët, në momentin që na vijnë skanerët atëherë do t’i vendosim në të gjitha pikat kufitare por derisa të na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare, e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë”, tha Kurti.