Lajme

Musmurati: Së shpejti nis ndërtimi i dy shkollave në lagjet Mati 1 dhe Sofali

By GAZETA SCANNER 1

May 28, 2023

Në Prishtinë së shpejti do të nis ndërtimi edhe i dy shkollave të reja, ndërtimi i tyre sipas planit të komunës do të bëhet në lagjen Sofali dhe Mati 1.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës Besiana Musmurati.

“Shumë shpejte do të fillojë ndërtimi i shkollës Mati 1 dhe në Sofali. Do të ju ftojmë së shpejti kur e vejmë themelin”, tha shkurtimisht ajo.

Komuna e Prishtinës para disa muajsh kishte nënshkruar kontratën për ndërtimin e tri shkollave te reja dhe mirëmbajtjes së tyre në periferi të Prishtinës: Sofali, Mat dhe Prishtina e Re.

Ndërsa, ndërtimi i shkollës në Veternik ka nisur para tri javësh. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se kjo shkollë është shumëpritur nga të gjithë banorët e zonës Prishtina e Re.

Ai gjithashtu ka deklaruar se shkolla do të ketë kapacitet për 1 mijë e 80 nxënës, duke ofruar shkollim nga niveli parashkollor deri te klasa e 9-të.

“Nxënësit e kësaj zone do të kenë mundësi të vijojnë mësimin afër vendbanimit të tyre, me kushte të dinjitetshme, dhe jo me klasa të stërmbushura”, kishte njoftuar Rama.

I pari i kryeqytetit kishte deklaruar se me ndërtimin e shkollave në këto tri lagje do të ketë më pak makina në qendra të Prishtinës si dhe shume familje do të lirohen nga stresi i mëngjeseve dinamike.