Ballina

Musmurati, PDK: Dështimi i Ministrisë së Arsimit me tekste shkollore – po i dëmton fëmijët, prindërit dhe buxhetin e shtetit

By GAZETA SCANNER 1

August 22, 2023

Drejtorët e Arsimit nga radhët e PDK-së në nivel komunal, kanë mbajtur sot një konfernecë për media në të cilën kanë shprehur pakënaqësinë e madhe me propozimin e fundit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci në lidhje me furnizimet me tekstet shkollore për nxënës.

 

Besianë Musmurati, Drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se çdo ditë e më shumë po e shohin që Qeveria dhe Ministria e Arsimit janë të paafta të çojnë përpara çfarëdolloj politike arsimore.

 

Sipas saj, propozimi i ri i Ministrisë së Arsimit për rimbursimin e prindërve për blerjen e librave është shembulli i fundit dhe më i freskët i keq-qeverisjes në arsim, ashtu si edhe në sektorët tjerë. 

 

“Tentativat për të fshehë dështimin në arsim me arsyetime e fshehje pas gabimeve të së kaluarës duhet të marrin fund. Gabimet nuk përmirësohen me gabime më të mëdha. Prindërit gjithandej nëpër Kosovë janë tejet të shqetësuar me situatën e re e cila pritet të krijohet – ku edhe shtatori i dytë nën qeverisjen Kurti po i gjenë nxënësit me probleme për të nisur vitin shkollor”, ka thënë Musmurati.

 

Më tutje, ajo ka thënë se mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla, apo nëse ato do të jenë të mjaftueshme për të blerë librat.

 

“Në vend se Qeveria t’a zvogëlojë barrën financiare të shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, ajo po kontribuon që të dëmtohen financiarisht edhe prindërit, po edhe vetë buxheti i shtetit. Ministria e Arsimit po përpiqet që dështimin e tyre për furnizim të nxënësve me libra ta mbulojë me arsyetime e improvizime”, ka thënë Musmurati.

Ajo ka thënë se nga ky veprim i Ministrisë, do të ketë të paktën tri pasoja të mëdha të cilat do t’i vuajnë nxënësit dhe prindërit. “E para, vendimi i ministres Nagavci do të prodhojë vonesa dhe

mësimi do të fillojë pa tekste shkollore. Së dyti, ky vendim i Qeverisë Kurti do të prodhojë humbje efektive të mësimit. Së treti, do të ketë shpenzime edhe më të larta për prindërit dhe vetë shtetin e Kosovës”, ka thënë Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës.

 

Musmurati ka thënë se të gjithë e dijnë se mësimi fillon me 1 shtator, andaj, e gjithë kjo situatë është pasojë e keqmenaxhimit të dikasterit nga ana e Ministres Nagavci.

 

“Në asnjë variant, çmimi i blerjes së librave me pakicë nuk do të jetë më i ulët se blerja me shumicë. Prandaj, çmimi i librave do të rritet, dhe atë barrë të shtuar financiare do ta paguajnë prindërit. Rrjedhimisht, Ministrja Nagavci ka anuluar një proces kinse për të kursyer buxhetin, por e ka zëvendësur atë me një proces që kushton shumëfish më shumë. Edhe pse Qeveria e arsyeton këtë veprim duke e quajtur “luftë kundër monopoleve”, në fakt ajo po i shpërblen ato që ajo i quan monopole me çmime shumëfish më të larta”, ka thënë ajo.

 

Musmurati ka treguar se libri i abetares, esencial për nxënësit e klasës së parë, me shumicë, Ministria vitin e kaluar e ka blerë me rreth 7 euro, kurse me pakicë prindërit do ta blejnë nwpwr librari me 11 euro. Kjo do të thotë për çdo abetare të blerë, prindërit do të paguajnë 4 euro më shumë. Po ashtu, libri Shoqëria dhe Mjedisi për klasët e treta është blerë vitin e kaluar me rreth 6 euro nga Ministria, ndërsa çmimi i librit të njëjtë në librari për prindërit është rreth 8 euro. Prapë prindërit do të paguajnë më shtrenjtë sesa Ministria.

 

“Me një kalkulim bazik, kjo do të thotë që në mesatare, mbi 20% më shtrenjtë do të paguajnë prindërit, rrjedhimisht, me një përqindje të tillë do të dëmtohet buxheti i shtetit. Pra, do të ketë vonesa, humbje të mësimit dhe rritje të çmimeve”, ka thënë Musmurati.

 

Në fund, Drejtoresha e Arsimit nga radhët e PDK-së në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka thënë se kjo qasje e Ministrisë është recetë për rrëmujë dhe kaos që do t’i jep një tjetër goditje sektorit të arsimit, e jo reformë e mirëfilltë që ofron zgjidhje për problemet dhe sfidat në këtë sektor.

“Prandaj është e domosdoshme që Ministria e Arsimit që të sigurojë sa më parë librat shkollorë, që mësimi të fillojë në kohë, e që humbjet e orëve të mos përsëriten sikur vitin e kaluar. Barrën e keqmenaxhimit të ministrisë do ta bartin nxënësit në mësimnxënie dhe prindërit në financim të librave”, ka përfunduar ajo.