Lajme

Musliut i shkon një kërkesë nga Pacolli për demant: Kërkoj falje, kur ti t’i kërkosh falje popullit

By GAZETA SCANNER

January 08, 2025

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka njoftuar se ka marrë kërkesë për demant dhe kërkim falje nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli në lidhje me deklaratat për subvencionet e fituara nga vëllai dhe daja i kësaj të fundit.

Musliu përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se VV po e shfrytëzon pushtetin e dhënë nga qytetarët, për t’i pasuruaur familjarët.

“Shihni se deri ku arrin paftyrësia e llojit të kësaj kaste në pushtet! E shfrytëzojnë pushtetin e dhënë nga qytetarët për t’i pasuruar vëllëzërit dhe dajallarët, dhe në vend që t’ju vijë keq dhe t’i kërkojnë falje popullit për abuzimet me pushtet, kërkojnë që ata që ua zbuluan abuzimet dhe i denoncuan për keqpërdorime, ata t’u kërkojnë falje abuzuuesve dhe keqpërdoruesve të pushtetit” – ka thënë ajo.

Musliu ka theksuar se kërkon demant nga ministri Faton Peci, i cili publikisht konfirmoi raportimet e mediave.

“Fitore, ndoshta edhe e kisha demantuar, po fillimisht kërkoj demant nga Ministri Peci, i cili publikisht e ka konfirmuar atë që kanë publikuar mediat, se vëllai dhe daja yt kanë fituar grantet e përfolura.

Sa për kërkimfalje, patjetër do ta bëj sapo unë të informohem se ti i ke kërkuar falje popullit për këtë abuzim të pushtetit, ose nëse arrin që ta arsyetosh në mënyrë të bazuar dhe bindëse, se vëllai dhe daja yt janë përzgjedhur me meritë si fermerët më të kualifikuar në mesin e 1.5 milion banorëve, për të qenë fitues të këtyre granteve!” – ka thënë Musliu.