Lajme

Musliu: Rama më shkarkoi pas një dreke pune me Lumir Abdixhikun

By GAZETA SCANNER 1

February 06, 2024

Ilirik Musliu është shkarkuar nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama nga pozita e Drejtorit të Shërbimeve Publike. Ai ka thënë se shkarkimi i erdhi pa pritur, madje shprehet i shokuar.

Sipas tij, shkarkimi erdhi pas një dreke që Rama e kishte me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, shkruan Insajderi.

“Ka qenë një drekë pune me Lumirin Abdixhikun, dhe pas asaj ka ardhë ky vendim, nuk dua të besoj apo paragjykoj, por ka pasur një kronologji të ngjarjeve”, ka thënë ai.

Tutje, Musliu vendimin e cilësoi si politik, dhe si të pa bazuar në performancë teksa thekson se lajmin e mori nga një shkrim që Rama e shkroi në Facebook.

“E kam kuptuar përmes një shkrimi të tij në Facebook, për mua ka qenë totalisht e papritshme dhe shokuese kur kemi punuar shumë ngushtë, drejtoria jonë ka qenë drejtoria me performancën më të mirë por në të njëjtën kohë edhe Rama ka deklaruar se koalicioni po ec mirë, nuk e di nga erdhi vendimi”, ka thënë Musliu në Dukagjini.