Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për mosveprim ndaj emigrimit masiv të qytetarëve të Kosovës, raporton Scanner.
Musliu tha se pozita që dy vite rresht vuan nga ambicia e sëmurë për të qenë aktorë në parketin politik ku trajtohen krizat dhe sfidat politike dhe ekonomike globale, ndërkohë që populli i Kosovës e ka humbur shpresën në klasën e vet politike dhe si rezultat ka vendosur të ikë jashtë vendit.
“Sot ne kemi një qeveri e cila çdo ditë e më shumë po e groposë përfundimisht shpresën e qytetarëve dhe po e fakton se ndryshimin që e propaganduan e sollën por e sollën për keq. Si rezultat i gjithë kësaj, me një politikë kaotike dhe pa përmbajtje në sfond, qytetarët tanë kanë marrë botën në sy. Kosova po e përjeton eksodin më të madh të historisë së saj. Po e përjeton në heshtje sepse tematizimi i tij nuk është në favor të qeverisë”, theksoi Musliu.
Ajo tha se emigrimi është revoltë e një populli kundër politikbërjës dhe kundër arrogancës së pushtetit, si rezultat i së cilës, Kosova sot ndodhet në mes të një katastrofe sociale kombëtare.
“Mjekë, mësues, ushtarë, polic, zjarrfikës, bankierë, avokatë, sipërmarrës, shtresat e mesme të arsimuara, qytetarë të cilët do të preferonin të qëndronin dhe të ndërtonin të ardhmen e tyre në Kosovë, sot, për shkak të bastardimit të sistemit dhe për shkak të zhvlerësimit të tyre profesional dhe personal kanë zgjedhur të braktisin vendin. Dyqanet nuk kanë klientë. Shtëpitë nëpër fshatra kanë mbetë bosh. Rënia e numrit të nxënësve nëpër shkolla është e frikshëm. Standardi i jetesës për familjet është i papërballueshëm me pagat që ofrohen. Perspektiva për të ardhmen është inekzistente. Arsyet e emigrimit masiv janë të qarta: zhgënjimi, frika nga e ardhmja qe i pret, por arsyeja kryesore është humbja e shpresës se kjo klasë politike do tu qaset me seriozitet temave të cilat rregullojnë dhe sigurojnë përditshmërinë dhe ligjshmërinë e kësaj shoqërie. Si rezultat i gjithë kësaj, Kosova sot ndodhet në mes të një katastrofe sociale kombëtare”, shtoi Musliu.
PDK kërkon që Qeveria të ndërmarrë hapa urgjent për ta parandaluar zbrazjen e vendit.
“Referuar situatës faktike, e kemi për obligim që të angazhohemi dhe të ofrojmë politika të cilat e kthejnë shpresën dhe garantojnë perspektivë për një jetë me mirëqënie për qytetarët tanë. Qeveria e vendit duhet ta merr me prioritet dhe të ndërmarrë hapa urgjent për ta parandaluar zbrazjen e vendit sepse nëse vazhdojmë kështu, nesër ne nuk do të kemi se për kë të angazhohemi”, tha Musliu.